Qeveria tërhoqi nga xhirollogaria paratë për investim në shtëpinë e Adem Jasharit

Qeveria e Kosovës është bërë shkas për anulimin e një tenderi që ishte hapur me qëllim investimet në Kompleksin "Adem Jashari". Paratë që kishte premtuar për sanimin e dëmeve të shkaktuara në shtëpinë e ish-komandantit të UÇK-së në Prekaz, Qeveria i ka tërhequr në muajin nëntor të vitit të kaluar.

Qeveria tërhoqi nga xhirollogaria paratë për investim në shtëpinë e Adem Jasharit

Qeveria e Kosovës ka tërhequr paratë që i kishte ndarë Agjencisë për Mbrojtjen e Komplekseve Memoriale për investim në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, duke e lënë ende në rrezik nga shembja kullën e ish-komandantit të UÇK-së.

Më 18 tetor të vitit të kaluar Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale (AMKM) kishte hapur një tender për sanimin e dëmeve të shkaktuara nga era dhe vërshimet në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”.

Përmes këtij tenderi ishte paraparë të investoheshin mijëra euro në shtëpinë e ish-komandantit të UÇK-së, Adem Jashari, i cili është në rrezik nga shembja si mungesë e investimeve nga shteti.

Por, tenderi i AMKM-së u anulua. Paratë që Qeveria e Kosovës kishte premtuar për sanimin e dëmeve në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, i kishte tërhequr vetëm një muaj më vonë, raporton Insajderi.

Më 24 nëntor, Qeveria reduktoi mjetet që kishte ndarë për këtë aktivitet të prokurimit, çka shtyu zyrtarët e Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale që të anulonin tenderin për “sanimin e dëmeve të erës dhe vërshimeve në K.M ‘Adem Jashari'”.

njoftimin e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), lidhur me këtë tender të anuluar, thuhet se arsye për anulimin e këtij aktiviteti të prokurimit ka qenë kërkesa e Qeverisë së Kosovës që udhëhiqet nga kryeministri Ramush Haradinaj.

“Ky Aktivitet i Prokurimit anulohet në bazë të shkresës nga Drejtori dhe ZKA meqë në kohën kur është zhvilluar ky AP [Aktivitet i Prokurimit, v.j] ne kishim mjetet e parapara, mirëpo kërkesa e Qeverisë së Kosovës ka qenë reduktimi i mjeteve”, thuhet në njoftimin për anulim e tenderit, publikuar në KRPP.


Njoftimi për anulim të tenderit në KRPP

Autoriteti kontraktues i Agjencisë për Mbrojtjen e Komplekseve Memoriale ka thënë se Ministria e Financave tërhoqi paratë e planifikuara për investim në Kullën e Adem Jasharit.

“Edhe pse ne si Autoritet Kontraktues kemi dërguar njoftimin se këto mjete na duhen Ministria e Financave edhe pse kishte kërkesën e arsyetuar pa na pyetur fare ka bërë tërheqjen e mjeteve nga ky kod dhe shumë projekte tjera dhe njëherit kërkesa e jonë nuk është marre parasysh”, thuhet në njoftimin për anulimin e tenderit.

Agjencia për Mbrojtjen e Komplekseve Memoriale thotë se është detyruar të tërhiqej nga aktiviteti i prokurimit për “sanimin e dëmeve të erës dhe vërshimeve në K.M Adem Jashari”.

Ndërkaq, në përshkrimin e kontratës, tashmë të anuluar, thuhej se nga tenderi ishte paraparë të sanoheshin dëmet e shkaktuara në shtëpinë e Adem Jasharit dhe po ashtu furnizimi me pajisje të cilat janë dëmtuar nga era.

Kulla që rrezikohet nga shembja

Një muaj më parë në mediet kosovare është raportuar për rrezikun që Kulla e Jasharajve të shembet.

Ciceroni i Kompleksit të Jasharajve kishte deklaruar muajin e kaluar se kulla e Komandantit të UÇK-së, Adem Jashari, rrezikon shembjen.

“Kulla ka filluar të dëmtohet. Ju kisha lutur shtetit që me i kushtu më shumë rëndësi kësaj ngjarje. Kjo është histori e vërtetë”, kishte thënë Halimi.

Kulla e Jasharajve rrezikon të shembet

Ai kishte bërë të ditur se projekti për Kullën e Jasharëve është gati, porse Qeveria duhet t’i ndajë mjetet financiare për rinovim.

“Po shpresojmë që në këtë vit, 2018-n, qeveria do të ndërmarr diçka”, kishte deklaruar ai.

Qeverisë i dërgohet peticion për shpëtimin e kompleksit “Adem Jashari”

Tri ditë më parë janë mbledhur 3 mijë nënshkrime të qytetarëve të Kosovës për të shpëtuar dhe ruajtur kompleksin e familjes Jashari në Prekaz.

Iniciatori i këtij peticioni, anëtari i shoqërisë civile Jusuf Thaçi ka deklaruar se nënshkrimet e mbledhura nga peticione u janë drejtuar tri institucioneve, të cilat ai i bën përgjegjëse për gjendjen e vështirë në të cilën ndodhet kompleksi “Adem Jashari”.

“Si qytetar i Kosovës dhe në emër të të gjithë qytetarëve që e ndajnë këtë shqetësim, sot i kam drejtuar kërkesë, përmes postës dhe përmes e-mailit tri institucioneve që kanë përgjegjësi dhe kompetenca për ta adresuar dhe për ta zgjidhur këtë problem: 1. Qeverisë së Republikës së Kosovës, 2. Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memorialë të Kosovës, dhe 3. Komisionin Parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Thaçi.

Peticioni i bën thirrje institucioneve të Kosovës që të trajtojnë seriozisht këtë kërkesë qytetare dhe të ndërmarrin urgjentisht të gjitha masat për shpëtimin dhe ruajtjen e Kompleksit të Familjes Jashari. /Insajderi.com