Vendimi i Komunës së Prishtinës për të shpallur gjendje të jashtëzakonshme në fillim të janarit të këtij viti, kur pati reshje të mëdha të borës dhe temperatura të ulëta ka shtyrë komunën që të angazhojë dy kompani shtesë për mirëmbajtjen e rrugëve. Kjo do ti kushtojë Komunës 30 mijë euro.
Kishte qenë 6 janari i këtij viti, kur reshjet e borës dhe temperaturat e ulëta përfshinë kryeqytetin duke quar gati në bllokim. Kjo gjendje kishte quar Komunën e Prishtinës që të shpallte gjendje të jashtëzakonshme.
“Përveç 8 kompanive aktuale, do të angazhohet edhe një kompani shtesë, në mënyrë që sa më shpejt të përmirësohet situata si në rrugët në qytet ashtu edhe në rrugët nëpër fshatra të Komunës së Prishtinës”, paralajmëronte atëherë Komuna e Prishtinës në njoftimin zyrtar.
Një muaj e gjysmë pas këtij vendimi, bora është rikthyer përsëri edhe pse jo në sasinë e fillimit të janarit e as me ngricat e asaj kohe, e bashkë me të Komuna e Prishtinës ka dhënë tenderin dy kompanive të tjera për mirëmbajtjen e rrugëve.
Por nuk është angazhuar vetëm një kompani, por dy, raporton Insajderi.
Tenderi “Njoftim per dhenie te kontrates -procedur e negocuar ishte përgatitur disa ditë pas vendimit të 6 janarit, saktësisht me 13 janar, ndërsa data e dhënies së kontratës është një muaj pas, me 13 shkurt. Nënshkrimi i marrëveshjes me të dy kompanitë pritet të bëhet me 22 shkurt.
“Hortikultura” ka fituar tenderin 15 mijë eurosh për mirëmbajtjen e rrugëve të qytetit ndërsa “Dardania” ka fituar kontratën 15 mijë eurosh për mirëmbajtjen e rrugëve rurale.
Për të dyja lotet tenderi ka qenë me procedurë të negociaur, raporton Insajderi.
Në dokumentin e njoftimit për dhënie të kontratës jepet edhe arsyetimi i këtij tenderi, baza e të cilit është vendimi për gjendje të jashtëzakonshme.
“Bazuar në këtë situate Kryetari i Komunës ka miratuar Vendimin për ngritjen e gatishmërisë emergjente dhe angazhimin edhe të dy kompanive profesionale që të ndihmojnë në tejkalimin e kësaj situate të jashtëzakonshme”, thuhet në përshkrimin e shkurtër të lëndës së kontratës.
Po në këtë njoftim, thuhet se “reshjet e borës dhe temperaturat e ulëta në fund të dhjetorit dhe gjatë janarit kanë krijuar pengesa të jashtëzakonshme në lëvizjen e qytetarëve, e në disa pjesë pothuajse i kanë izoluar tërësisht”.
“Në viset rurale një pjesë e banorëve janë bllokuar tërësisht pasi që përpos borës edhe erërat kanë kushtëzuar bllokimin total të disa rrugëve duke rritur nivelin e borës në disa pjesë të tyre”, thuhet në njoftimin për dhënie të kontratës nga Komuna e Prishtinës.
Sipas Komunës, pjesët ku është e domosdoshme të intervenohet në qytet janë: rrugët në lagjen Tophane, Kodra e Trimave, “Asllan Pireva”, “Ibrahim Kelmendi”, “Shefki Desivojca”, “Mic Sokoli”, “Lagjia e Muhagjerëve”, “Lagjia e Dodona”, të gjitha rrugët në Arbëri bashkë me troturarët në rrugën “Xhorxh Bush”, “Dëshmorët e Kombit”, “Agim Ramadani”, “Luan Haradinaj”, “Garibaldi”, “Bill Klinton”, “Vëllëzërit Fazliu” si dhe në parqet e Gërmisë, atë të qytetit dhe në Ulipianë e Arbëri. /Insajderi.com