Vendoset në Tetovë Smart info Qendra

Vendoset në Tetovë Smart info Qendra

Ditë më parë në Tetovë, është vendosur objekti i pikës informuese për vendet turistike, njofton Insajderi.

Ky objekt ende nuk është funksional pasi që pritet që të kalojë gjendja e jashtëzakonshme me Coronavirusin dhe më pas do të jetë në shërbim më shumë për turistët e huaj të cilët do të kenë mundësi që të informohen për vendet atraktive në rajonin e Pollogut.

Pika të ashtuquajtura Smart info, do të ketë edhe në Gostivar dhe në Prizren, njoftojnë nga komuna e Tetovës.

Sipas tyre, mjetet janë siguruar nga fondet e Bashkimit Evropian, në kuadër të projekteve për bashkëpunim ndërkufitar.

“Në kuadër të EU projektit nga programi ndërkufitar Kosovë-Maqedoni e veriut – Përforcim i turizmit rural dhe ambientor nëpërmjet rrjetit të Smart Info  Qendrave Turistike  u vendos objekti i parë në afërsi të stacionit ndërkomunal të autobusëve në Tetovë.  Ky projekt parasheh vendosjen edhe të një qendre të ngjashme në Kodër të Diellit, si dhe të një në Prevallë dhe kyçjen në “smart rrjetin” e një qendre ekzistuese nga komuna e Prizrenit” tha Fatmir Saiti drejtor i Qendrës për zhvillim të rajonit planor të Pollogut.

Gjithsej në rajonin e Pollogut dhe të Prizrenit do të ketë 6 smart opika turistike, pohojnë nga Qendra për zhvillim të rajonit planor të Pollogut.

“Me këtë, rrjeti smart i info qendrave turistike do të përbejë gjithsej 6 të tilla në rajonin ndërkufitar të Sharrit të Maqedoni e veriut dhe Kosovë.

Bartës i projektit është Qendra për zhvillim të rajonit planor të Pollogut, ndërsa partner janë rajoni i jugut në Kosove si dhe komunat pjesë e rajoneve”, tha Fatmir Saiti.

Ndërkohë, ajo që vërehet në Tetovë është se edhe shumë pak tabela vërehen për pikat turistike dhe monumentet historike apo kulturore.

Kjo krijon edhe shumë vështirësi për ato turistë të paktë që vijnë nga jashtë për orientim më të mirë, ose për vizitë të vendeve që llogariten si atraksion turistik.

Tabelat mungojnë për në Kodrën e Diellit, për Xhaminë e Pashës, për Arabati Baba Teqe.

Këta janë ndër të paktët vende në këtë qytet që vizitohen nga turistë të huaj por e kanë vështirë që t’i gjejnë lokacionet e tyre, sidomos nëse bëhet fjalë për Arabatin Baba Teqe, Kalanë apo Kodrën e Diellit.

Në këshillin e komunës së Tetovës, vitin e kaluar është vendosur që të formohet Qendër Informative Turistike. Kryetari i këshillit të komunës së Tetovës Bekim Memeti, theksoi se një qendër e këtillë ka munguar shumë në këtë qytet sepse turistët nuk kanë orientim të saktë për vend ndodhjen e këtyre lokaliteteve që kanë peshë historike, fetare apo kulturore.

“Bëhet fjalë për një projekt info dhe promo qendra të mençura. Ky projekt është propozuar në kuadër të forumeve rajonale të Pollogut. Është një projekt që i ka munguar Tetovës, sidomos turistëve, të cilët vijnë për të vizituar qytetin e Tetovës. Jemi dëshmitarë se më herët nuk kemi pasur një qendër të këtillë dhe kjo do të ndikojë pozitivisht në orientimin e turistëve të cilët vijnë”, tha kryetari i këshillit të komunës së Tetovës Bekim Memeti.

Nga ana tjetër, edhe përfaqësues të institucioneve përkatëse shprehin shqetësimin e tyre që nuk ka tabela informuese lidhur me këta objekte që vizitohen nga turistë të huaj.

Sipas informacioneve është paraparë që në kuadër të Qendrës Informative Turistike në Tetovë të punësohen dy persona të cilët në kohë reale do të mund të japin informacione për turistët që kanë vendosur të vizitojnë këta objekte./Insajderi.com