Vendoset për lirim gradual të masave anti-COVID, lejohen dasmat deri në këtë orë

Vendoset për lirim gradual të masave anti-COVID, lejohen dasmat deri në këtë orë

Proprozim-vendimi për shqyrtimin e masave të përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, luftimin dhe parandalimin e COVID-19 është miratuar në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, njofton Insajderi.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka deklaruar se gjatë dy javëve të fundit, numri i rasteve pozitive ka rënë për 65 për qind. Bazuar në këtë, Vitia tha se propozohet lirimi gradual i masave anti-COVID.

“Sipas raportit të fundit të IKSHPK-së, situata epidemiologjike me COVID-19 paraqitet e qëndrueshme, me vazhdimin e uljes së rasteve pozitive. Ulja e rasteve pozitive në dy javët e fundit krahasuar me dy javët paraprake ka shënuar një rënie për rreth 65 për qind. Në një situatë të tillë, duke iu referuar të dhënave aktuale mbi situatën epidemiologjike dhe rekomandimeve të IKSHPK, propozojmë vazhdimin e lehtësimit gradual të masave që mundësojnë një aktivitet të shtuar ekonomik por njëkohësisht kontroll të shtuar”, ka deklaruar Vitia, duke shtuar se masat do të shqyrtohen pas dy javëve.

“Lehtësimi i masave është duke u bërë në raport me tri objektiva kryesore: parandalimin e përhapjes së infeksionit, moscenimi i aktiviteteve ekonomike por duke pasur prioritet ruajtjen e shëndetit publik dhe ruajtja e shëndetit mendor dhe fizik të qytetarëve. Masat shërbejnë që situata të mbahet në kontroll. Ndryshimi i situatës epidemiologjike kërkon vendime dhe masa të reja konform situatës së re. Vlerësimi i masave kufizuese do të bëhet pas dy javësh”, ka deklaruar ministri Vitia.

Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja anti-COVID, duke lejuar mbajtjen e ahengjeve si dasmat, fejesat dhe mbrëmjet e maturës deri në orën 23:00. Qeveri bën me dije se muzika lejohet deri në orën 22:45.

“Organizimi i dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe mbrëmjeve të maturës, është i lejuar me kusht që të shfrytëzohet 30 për qind e kapacitetit të hapësirës(30 persona për 100m2), por jo më shumë se 200 të ftuar në rastet kur 30 për qind e kapacitetit të hapësirës tejkalon këtë numër”. /Insajderi.com