Veprime të zakonshme për Nismën: Gruaja e këshilltarit të Limajt punësohet në MASHT

Veprime të zakonshme për Nismën: Gruaja e këshilltarit të Limajt punësohet në MASHT

Shumë dikastere në Qeverinë e Kosovës, kanë shfrytëzuar marrëveshjet për shërbime të veçanta, për punësimin e militantëve partiakë e familjarë.

Me një kontratë 6-mujore, Ministria e Arsimit që udhëhiqet nga Nisma, ka punësuar Shkurta Gashin, anëtare e partisë, dhe Valbonë Morina-Berishën, gruan e këshilltarit të Fatmir Limajt, Leotrim Berisha, raporton KTV.

Të dyja janë shpallur kandidatet më të suksesshme në konkursin për pozitën “Zyrtar për inovacion dhe teknologji”, brenda Departamentit të Arsimit të Lartë, Shkencës dhe Teknologjisë, me një pagë bruto prej 483,34 eurosh.

Shoqëria civile, punësimet me kontrata mbi vepër dhe pa një strategji të reformave specifike në arsim, i sheh të dëmshme dhe keqpërdorim të parasë publike.

Televizioni ka pyetur Ministrinë e Arsimit që nga java e kaluar për procedurat e konkursit dhe nëse në punësimin e Berishës dhe Gashit pati ndikim subjekti politik Nisma, por nuk ka marrë përgjigje.

Përgjigje nuk ka dhënë as Shkurta Gashi, e cila në zgjedhjet e fundit lokale ishte kandidate për asamble të Komunës së Prishtinës, nga Nisma Socialdemokrate.

KTV-ja ka provuar ta marrë një qëndrim edhe nga Valbonë Berisha dhe Leotrim Berisha, nëse ky i fundit përdori pozitën e tij në parti për punësimin e bashkëshortes, por ata nuk kanë dhënë sqarime.