Gjykata e Apelit të Kosovës ka vërtetuar dënimin me burgim ndaj Zlatan Kërstiq e Destan Shabani, të akuzuar për krime lufte ndaj popullatës civile.
Aktgjykimi ishte shpallur nga Gjykata Themelore e Prishtinës me datë 23 mars të këtij viti.
Kërstiq është dënuar me burgim prej 14 vjet e 6 muaj, ndërsa Shabani me 7 vjet burgim.
Në këtë mënyrë është refuzuar e pabazuar ankesa e Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve.
Ndërsa, është vërtetuar aktgjykimi i Themelores dhe është hedhur poshtë ankesa e përfaqësuesit palës së dëmtuar.
“Me aktgjykimin e lartcekur të Gjykatës Themelore në Prishtinë, i akuzuari Zoran Krstic është shpallur fajtor për shkak të veprës penale në bashkëkryerje Krime lufte kundër popullsisë civile nga neni 142, lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, e sanksionuar edhe sipas nenit 3 të Konventës së Gjenevës dhe Protokolit të dytë të saj dhe ndaj të njejtit është shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 14 (katërmbëdhjetë) vjet e 6 (gjashtë) muaj”.
“Ndërsa, i akuzuari Destan Shabanaj është shpallur fajtor për shkak të veprës penale Krime lufte kundër popullsisë civile nga neni 142 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët të Konventave të Gjenevës dhe ndaj të njejtit është shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 7 (shtatë) vjet”, thuhet në komunikatën për media./Insajderi.com