Veseli bëri pjesë të Qeverisë “Listën Rugova”, por ajo është shuar qe 3 vite

Veseli bëri pjesë të Qeverisë “Listën Rugova”, por ajo është shuar qe 3 vite

Koalicionit mes Aleancës Kosova e Re (AKR) dhe koalicionit PDK-AAK-NISMA, do t’i bashkohen në qeverinë e ardhshme edhe sekserët e PAN-it, Ukë Rugova dhe Dardan Gashi. Këtë e ka konfirmuar kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, pas nënshkrimit të marrëveshjes së koalicionit me AKR-në.

Veseli ka thënë se këtij koalicioni do t’i bashkohet edhe një listë, të cilën ai e ka quajtur “Lista Rugova”.

“Fuqizimi i shtetit dhe sovranitetit tonë do të jenë prioritetet tona. Ky është implementimi i votës së 11 qershorit. Brenda ditësh [do të formohen institucioneve v.j], tani jemi me partnerët e koalicionit të gjithë bashkërisht. Është mandatari i ardhshëm i Qeverisë së Kosovës Ramush Haradinaj, z. Limaj, edhe presidenti Pacolli. I kemi edhe partnerët e tjera nga komunitetet dhe e kemi partneritetin tonë me kolegët nga Lista Rugova”, ka thënë Veseli, pas nënshkrimit të marrëveshjes.

Por Lista Rugova është shuar qysh në maj të vitit 2014.

Lajmin për këtë e kishte bërë të ditur vet një nga themeluesit e kësaj Liste, Astrit Haraqija.

Ai kishte thënë të gjithë aktivistët e kësaj Liste do të mbështesin LDK-në dhe kandidatët e saj në zgjedhjet e 8 qershorit.

“Lista Ibrahim Rugova” u themelua në dhjetor të vitit 2010, ndërsa në Kuvendin e Kosovës përfaqësohej me deputetin Ukë Rugova, ndërkaq në Qeveri nga Bujar Bukoshi e Dardan Gashi.

Ukë Rugova dhe Dardan Gashi bashkë me Astrit Haraqinë kanë qenë tre personazhet e mbetura nga kjo Listë që më vonë u bënë sekserët e koalicionit PAN duke vrapuar për të bindur deputeten e LDK-së, Teuta Rugova dhe atë të AKR-së, këngëtarin e turbo folk muzikës, Labinot Tahiri./Insajderi.com