Veseli beson se Haradinaj mund te reflektoje, por gabohet: Ai tashmë ka shpërthyer

Veseli beson se Haradinaj mund te reflektoje, por gabohet: Ai tashmë ka shpërthyer

Kryetari i Kuvendit dhe i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, ka reaguar në lidhje me fyerjen që nënkryetari i OVL UÇK-së, Nasim Haradinaj i ka bërë ambasadorit amerikan, Greg Delawie.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Veseli ka shkruar se fyerja që i ka bërë bashkëluftëtari i tij nuk do të duhej të ndodhte asnjëherë në Kosovë.

Tutje Veseli ka shkruar se “jam i bindur në reflektim nga Nasimi të kësaj çfarë ka ndodhur, ndaj ambasadorit të ShBA-së, një personaliteti të urtë, dinjitoz dhe shumë dashamirës ndaj vendit tonë!”.

Veseli ka shkruar se roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, (ShBA), që është në Kosovë është shumë më tepër se partneritet ndërkombëtar.

Nasim Haradinaj e ka quajtur sot ambasadorin amerikan, Greg Delawie “palaço”, pasi që ky i fundit kishte thënë se disa komandant të UÇK-së kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovë. /Insajderi.com

Postimi i plotë i Kadri Veselit:

SHBA me rolin që ka në Kosovë është shumë më tepër se vetëm partner ndërkombëtar. Nuk dua ta theksoj sa rëndësi strategjike ka SHBA për Kosovën, se është e vetëkuptueshme kjo. Por është gabim të mendosh rolin e SHBA-së ndaras nga roli i ambasadorit. Deklarata e dhënë sot nga një bashkëluftëtar i yni dhe përfaqësues i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së është një fyerje që nuk duhej të ndodhte asnjëherë në Kosovë nga njerëz që i kanë dhënë shumë Kosovës, si Nasimi me familje. Besoj dhe jam i bindur në reflektim nga Nasimi të kësaj çfarë ka ndodhur, ndaj ambasadorit të ShBA-së, një personaliteti të urtë, dinjitoz dhe shumë dashamirës ndaj vendit tonë!