Veseli dëgjon këshilla për universitetin nga i dënuari për punësime të paligjshme

Veseli dëgjon këshilla për universitetin nga i dënuari për punësime të paligjshme

Një javë më parë, kryetari i Kuvendit dhe lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, u ndal në Prizren, përkatësisht në Universitetin publik “Ukshin Hoti” në kuadër të “turit të tij të dëgjimit” duke takuar profesorë dhe drejtues të këtij universiteti, hallet e të cilëve thotë se i ka dëgjuar për t’u njohur me problemet e tyre.

Rektori i Universitetit, Ramë Vataj, ish deputet i PDK-së i ankohet Veselit se përkundër faktit se numri i studentëve është dhjetëfishuar që nga vitit 2010 kur është hapur universiteti, mungon stafi profesional.

“Universiteti i Prizrenit në 2010-n ka filluar me 1 mijë e 500 studentë dhe tash i kemi 15 mijë student. U dhjetëfishu numri por stafi nuk është konform standardeve”, i thotë Vataj, Veselit.

Por vet Vataj nuk është aspak “konform standardeve” pasi është dënuar me 2 mijë euro gjobë për shkak të mos respektimit të procedurave për punësimin dhe angazhimin e personelit akademik. Bashkë me të është dënuar edhe vetë universiteti me 5 mijë e 300 euro si subjekt juridik.

[arve url=”https://www.facebook.com/plugins/video.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fkadriveseliofficial%2Fvideos%2F738691986306010%2F&show_text=0&width=560″/]

Inspektorët e punës kishin inspektuar punën e “Ukshin Hotit”, duke evidentuar shumë parregullsi në rekrutimin e stafit dhe mos respektimin e konkurseve.

Vërejtjet ishin dhënë me kohë ndaj këtij institucioni, por të cilat nuk ishin përmirësuar në masën e duhur. Për shkak se nuk janë përfillur këto vërejtje, atëherë kanë pasuar edhe gjobat ndaj rektorit Vataj në cilësinë e personit fizik, dhe universitetit në cilësinë e subjektit juridik.

Kësisoj versioni që Veseli ka dëgjuar për këtë Universitet nuk përfshinë fare historinë e dënimit për punësime të paligjshme.

“Ajo çka është në dorën tonë bashkërisht është që tregu i dijes me u lidhë me ekonominë e tregut”,  thotë Veseli para stafit të Universitetit të Prizrenit. /Insajderi.com

Rektori Ramë Vataj dënohet për punësime të paligjshme