Veseli deklarohet në Hagë: Me bindje të plotë – jam tërësisht i pafajshëm

“Jam i pafajshëm” dhe “s’kam çka shtoj”, kanë qenë dy deklarimet e shkurtra të Kadri Veselit, gjatë rreth një ore, sa zgjati seanca e parë në Gjykatën Speciale e ish-themeluesit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Veseli deklarohet në Hagë: Me bindje të plotë – jam tërësisht i pafajshëm

Kadri Veseli, një nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është paraqitur para gjykatës në Hagë, për t’u përballuar me akuzat që rëndojnë kundër tij.

Veseli, që akuzohet për gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit, siç janë “përndjekje, burgosje, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë e personave” dhe katër akuza për krime lufte, siç janë “ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme”, është deklaruar “i pafajshëm” në të gjitha këto akuza.

“I dëgjova dhe i kam lexuar të gjitha pikat e aktakuzës. Me bindje të plotë deklarohem se jam tërësisht i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës”, ka thënë Veseli, kur është pyetur nga gjyqtari i seancës për deklarimin rreth pafajësisë, apo fajësisë së tij.

Veseli akuzohet për krimet e supozuara të kryera “mes prillit 1998 dhe gushtit 1999 në Kosovë dhe Shqipërinë Veriore”. Krime të cilat dyshon prokuroria se kanë ndodhur në “Kosovë dhe Shqipërinë Veriore”.

Sipas prokurorisë “ekziston dyshim i bazuar mirë se Veseli është përgjegjës për kryerjen e veprave për të cilat akuzohet si anëtar i ndërmarrjes së përbashkët në të gjitha pikat”.

Gjithashtu Veseli akuzohet se është penalisht përgjegjës edhe “si epror”.

Pas deklarimit të prokurorisë dhe avokatit mbrojtës, Ben Emmerson, gjykatësi ia ka ofruar edhe një herë fjalën Veselit, nëse kishte diçka të shtonte rreth ndonjë çështje.

Veseli ka qenë i shkurtër.

“Nuk kam asgjë tjetër t’i shtoj deklaratës së avokatit tim”, ka pohuar ai.



Ben Emmerson, avokati i Veselit: Klienti im u dorëzua vullnetarisht – dua të lirohet deri sa të fillojë gjykimi

Ben Emmerson, avokati i Kadri Veselit në Gjykatën Speciale, ka thënë se klienti i tij duhet të lirohet menjëherë, derisa gjykimi i tij të fillojë, ndërsa ka theksuar se Veseli përkundër se po konsiderohet  si i arrestuar, ai është dorëzuar vetë duke bashkëpunuar vullnetarisht me gjykatën.

“Dua të prezumohet i pafajshëm për të gjitha akuzat kur të vazhdojë çështja. Do ta marrë një parashtrim ose kërkesë që Veseli të lirohet deri në pritje të fillimit të gjykimit. Dua të shënohet në procesverbal; ndonëse është përmendur fakti që Veseli është arrestuar, ju duhet ta dini që Veseli erdhi në Gjykatë vullnetarisht me marrëveshje paraprake”, ka thënë Emmerson.

Ai ka shtuar se “në ditën që Veseli u dorëzua ai ka dorëzuar një deklaratë që unë dua ta lexoj”, derisa ka vazhduar dhe ka lexuar një pjesë të letrës që Veseli ditën kur udhëtoi për në Hagë e bëri publike./Insajderi.com