
Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, e ka cilësuar si një arritje të madhe afrimin një eksperti në ekipit e tij, duke thënë se tani atij do t’i jepet mundësia që të kontribuoj për vendin.
“Lajm fantastik për PDK-në, për ekipin tonë të përbashkët për #FillimiRi. Një ndër ekspertët më të njohur të Kosovës, Robert Muharremi, sot i është bashkuar ekipit tim për #FillimiRi. Roberti është një ekspert i kalibrit ndërkombëtar, me eksperiencë në Gjermani, SHBA, Kosovë. Është profesor i së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, i cili, si pjesë e #FillimiRi, do të japë një kontribut të çmuar për vendin dhe për sundimin e ligjit”, ka shkruar Veseli në llogarinë e tij në Facebook.
Por, Robert Muharremi në fakt tash e një kohë punon për institucionet e Kosovës dhe për më tepër ka qenë edhe këshilltar i ish-kryetrarit të PDK-së, Hashim Thaçi.
Muharremi ishte caktuar si këshilltar ligjor në kohën kur presidenti aktual, Hashim Thaçi, shërbente si zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës, në vitin e parë të qeverisjes Mustafa.
Po ashtu, gjatë kësaj qeverisje, ai ka shërbyer si Këshilltar Ligjor i Jashtëm në Ministrinë e Drejtësisë, që udhëhiqet nga një anëtare e PDK-së, Dhurata Hoxha./Insajderi.com