Veseli: Ka ngecur ekonomia dhe krijimi i vendeve të punës

Veseli: Ka ngecur ekonomia dhe krijimi i vendeve të punës

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka takuar të premten pasdite strukturat e partisë në Prizren, nga të cilët ka kërkuar mobilizim të fuqishëm për zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit, në mënyrë që siç tha ai, PDK të dalë sërish fituese, njofton Klan Kosova.

Në një takim masiv, strukturave të PDK-së, kryetari Veseli u ka thënë se secili duhet të ndjehet krenar si anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës, sepse janë anëtarë të partisë që ka ndërtuar vendin.

“Kur PDK-ja e ka udhëhequr Qeverinë e Kosovës, ka ndërtuar rrugë e shkolla. Ka rritur pagat dhe vendin tonë e ka çuar përpara shumë më shpejtë”, është shprehur kryetari Veseli.

Ai ka thënë se qytetarët e Kosovës kërkuan zhvillim më të shpejt ekonomik, integrim të plotë në Bashkimin Evropian, një ushtri që do të mund t’i mbronte ata dhe të ishte një forcë për stabilitetin në rajon, mirëpo nevojat dhe kërkesat e qytetarëve nuk janë përmbushur nga kjo qeveri, nën udhëheqjen e Isa Mustafës, dhe kjo është arsyeja pse po shkohet në zgjedhje.

“Arsyeja pse po shkojmë në zgjedhje është sepse ekonomia jonë ka ngecur, krijimi i vendeve të punës ka stagnuar dhe s’po lëvizim drejt integrimit të vendit në BE në ritmin e duhur. Arsyeja pse po shkojmë në zgjedhje nuk ka të bëjë me asnjë arsye politike apo për shkak të PDK-së, por për shkak se lidershipi i Mustafës dështoi para qytetarëve të Kosovës”, u shpreh Veseli.