Veseli kundër arrestimit të shtetasve turq: Veprim kundër sundimit të ligjit

Veseli kundër arrestimit të shtetasve turq: Veprim kundër sundimit të ligjit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli i cili njëherit është edhe lider i Partisë Demokratike të Kosovës, (PDK), ka folur rreth arrestimin të shtetasve turk në Kosovë, ku ka thënë se ky veprim nuk përfaqëson formë të duhur të sundimit të ligjit.

Veseli ka dal kundër arrestimit të shtetasve turk, raporton Insajderi.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Veseli ka shkruar se ndërmarrja e veprimeve të tilla është mungesë transparence.

“Arrestimi i sotshëm i gjashtë shtetasve turk, banorë me leje të vlefshme qëndrimi në Kosovë dhe punonjës në Kolegjin Mehmet Akif të akredituar sipas standardeve përkatëse të Kosovës, nuk përfaqëson as formën e duhur të zhvillimit të sundimit të ligjit as konsolidimit të nevojshëm të demokracisë. Ndërmarrja e veprimeve të tilla pa respektim të procedurave përkatëse dhe mungesë transparence lë hapësirë të theksuar për mëdyshje për veprimet arbitrare të autoriteteve në fjalë”, ka thënë Veseli.

Po ashtu i pari i Kuvendit ka shtuar se se arrestimi i shtetasve turk në këtë mënyrë  nuk korrespondon me vlera evropiane.

“Si shtet demokratik, Kosova në mënyrë institucionale duhet të adreson përgjegjësinë ligjore të akterëve të involvuar në këtë rast. Po ashtu, arrestimi i shtetasëve të huaj në flagrancë për dyshime të pabazuara, nuk korrespondon me vlerat evropiane që duhet t’i përfaqëson Kosova”, ka shkruar Veseli.

Kosova s’ka alternative tjetër veç rrugëtimit evropian. Kjo, natyrisht, kërkon sundim të ligjit dhe llogaridhënie prej abuzuesëve arbitrar të tij.