Veseli në takimin e presidentit: VV e LDK për protagonizëm e futën Kosovën në krizë

Veseli në takimin e presidentit: VV e LDK për protagonizëm e futën Kosovën në krizë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka akuzuar dy ish partnerët e kalicionit qeverisës, Lëvizjen Vetëvendosje dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, për sjelljen e Kosovës në këtë krizë politike, si shkak i papërgjegjësisë së tyre dhe tendencë për protagonizëm, shkruan Insajderi.

Në takimin e thirrur nga presidenti Hashim Thaçi për të diskutuar rreth zgjidhjes së kësaj situate, Veseli ka thënë se partia që udhëheq nuk do të jetë pjesë e asnjë qeverie të ardhshme deri në mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

“Situata e krizës është një situatë e pazakonshme, në fakt është shkaktuar nga vet ata që do duhej të qeverisnin. Përveq kësaj kemi edhe një acarim që është i jashtëzakonshëm, për protagonizëm, dhe kjo bie mbi dy partitë që kanë qenë në qeverisje, LDK e VV. Kjo po e rëndon jetën e njerëzve dhe ka vë në siklet dhe bllokadë edhe institucionet e Kosovës. Qeveria në largim, me vet hapat që ka marrë e ka bllokuar Kosovën, ka dëmtuar edhe me masat që kanë marrë, ose kanë shkelje kushtetuese, presim edhe një aktgjykim të Kushtetutës, po bëhen shkelje kushtetuese edhe me ndarjen e mjeteve financiare duke u dukur se babadimri ka ardhur dhe po shpërndan para, e nuk mendon se ato janë para të taksapaguesve. Edhe shkarkimet, edhe emërimet janë të paligjshme”, ka thënë Veseli

Kreu i PDK-së, ka shtuar se kjo qeveri ka dëmtuar marrëdhëniet me ShBA-në, si dhe ka përligjur vendimet e Vuçiqit për veriun e vendit.

“Serbia vendos masa në veri e cila nuk ka ndodhur për 21 vite, ne e dimë që ka pasur struktura paralele. Kjo qeverisje vendimin e Vuqiqit e legjitimon dhe e bën vendim të saj. Përveç kësaj ku ka turp me të madh se sa një ekuivalencë monetare të cilën secili biznesmen do t’i jepte për testet e të mos turpërohej Kosova në ditën e masakrave”.

“Ju si president e keni mandatin kushtetues derisa ta keni mandatin, që të jeni gardiani i Kushtetutës deri në zgjidhjen e kësaj situate. PDK do të jetë opozitë, nuk do të pranojë ftesa as nga këta që kanë shkuar, as nga këta që do të vijnë. Ne do të presim një momentum tjetër të cilat janë zgjedhjet e jashtëzakonshme”, shtoi ai.  /Insajderi.com