Veseli nga Kroi i Vitakut: Mitrovica është një

Veseli nga Kroi i Vitakut: Mitrovica është një

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh edhe kryetar i Partisë Demokratike Kadri Veseli, ka qëndruar sot në Mitrovicë ku bashkë me kandidatët për kryetarë të komunave të veriut nga kjo parti kanë nisur fushatën zgjedhore.

Fushata zgjedhore për zgjedhjet që do të mbahen më 19 maj në katër komunat në veri ka filluar nga shtëpia e Ali Kadriut në lagjen “Kroi i Vitakut”.

Veseli ka shprehur mbështetjen e plotë për kandidatët e PDK-së duke ftuar qytetarët pa dallim, që t’i bashkohen platformës së kësaj partie pasi siç tha ai do të thotë jetë më dinjitoze për qytetarët dhe komunikim më i mirë mes tyre.

Lideri i PDK-së tha se ka vetëm një Mitrovicë dhe ashtu do të jetë përgjithmonë anipse përkohësisht ka qenë në dy njësi administrative.

Ai bëri thirrje për unitet mes shqiptarëve gjatë fushatës dhe jo assesi ndarje mes vete. Veseli ka potencuar se PDK-ja  është në këtë garë zgjedhore me kandidatët e saj, për të dërguar një mesazh të qartë se çdo pjesë e territorit të vendit është i njëjtë ku kjo parti konkurron me përgjegjësitë e saj para të gjithë qytetarëve pa dallim.

“Jemi të gjithë për Mitrovicën, Mitrovica është e Kosovës dhe Mitrovica është një. Ajo për çfarë duhet të gjithë të angazhohemi është me arritë një prosperitet më të mirë, komunikim më të mirë, për faktin se sa më mirë të jetojnë qytetarët në Mitrovicë, Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq dhe gjithandej, aq më mirë do t’i ketë punët edhe shteti ynë i pavarur dhe sovran. Shqiptarët duhet me qenë sa më të bashkuar dhe sa më unikë, me përdorë edhe këtë mundësi të cilën e ka krijuar fushata zgjedhore dhe jo me u nda mes vete”, tha Veseli.

Ai tregoi edhe pse kanë vendosur që të garojnë edhe me kandidatë të PDK-së. Sipas tij me këtë kanë dashur të përçojnë një mesazh për qytetarët e Kosovës.

“Kemi vendosur kandidatët tonë për arsye se kemi dashur të përçojmë një mesazh I cili është I drejtpërdrejtë. Kosova për ne është njëjtë çdo kund dhe PDK-ja konkurron çdo kund me përgjegjësitë e veta që ka para qytetarëve. Kur them para qytetarëve nuk po flas vetëm për shqiptarë”, ka thënë Veseli.

“Ju e dini unë kam filluar një iniciativë e cila ka mbetur në gjysmë dhe të cilën prap do ta vazhdoj. Nuk po flas për ndërtimin e shtëpive, të cilat janë legjitime dhe duhet të ndodhin dhe të vazhdojnë aty ku kemi mbetur për faktin se është e drejtë ligjore dhe natyrore që qytetarët të kthehen në pronat e tyre dhe ta zhvillojnë jetën ku të dëshirojnë,por ka qenë një iniciativë që e kam dhënë më herët, që bashkëqytetarët e pjesës veriore, të cilët punojnë në vendet jashtë pjesës veriore, të kenë mundësi të punojnë dhe mos të paguajnë fare asnjë tatim. As në pagë, në mënyrë që t’iu lejohet edhe punëdhënësve që të punësojnë bashkëqytetarë tonë të pjesës veriore. Kam biseduar edhe me ministrin e Financave Bedri  Hamza, besoj se shpejt do të gjejmë një modalitet I cili nuk e dëmton as punëdhënësin por as punëmarrësin..Nuk po flas vetëm për shqiptarët, por edhe për serbët në qoftes dëshirojnë të punojnë në pjesën e brendshme të Kosovës”, tha Veseli sot në Mitrovicë.

Ndërsa, përfaqësuesi I ‘Kroit të Vitakut, Nazmi Ismajli, duke falënderuar kryetarin Veseli për mbështetjen e vazhdueshme, tha se PDK-ja është i vetmi subjekt që ka kontribuuar në rindërtimin e shtëpive dhe kthimin e shqiptarëve në atë pjesë.

“Banorët e këtushëm kanë besimin tek ju si një lider i cili keni bërë më së shumti për këtë vend. Ky ndërtim që është bërë është bërë nga PDK-ja. Të bëhemi transparentë, deri në vitin 2008 asnjë parti politike nuk ka investuar në veri, këtu ka qenë tmerr. Kurse prej 2008 deri më sot, vetëm në Kroin e Vitakut janë kthyer afër 80 shtëpi”, theksoi Ismajli.

Zgjedhjet në katër komunat e veriut mbahen më 19 maj ndërsa PDK kandidon me kandidatët e saj, Gonxhe Çaushi Mitrovicë e Veriut, Shaqir Hetemi Leposaviq, Hysen Mehmeti Zubin Potok dhe Ilir Peci Zveçan. / Insajderi.com