Veseli nga Skenderaji: Me mashtrues nuk ka kompromise

Kadri Veseli ka vizituar Skenderajin për nder të ditës së çlirimit ku tha se me mashtrues nuk duhet të ketë kompromise

Veseli nga Skenderaji: Me mashtrues nuk ka kompromise

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka vizituar Komunën e Skenderajit për nder të 21 vjetorit të çlirimit nga okupatori serb.

Veseli ka folur edhe për zhvillimet në vend duke akuzuar rivalët politik për mashtrime ndaj mendjeve të qytetarëve.

“Disa parti po mundohen me fjalë, urrejtje, mos punë dhe mashtrime të pushtojnë mendjet e qytetarëve. E kanë bërë ideal, kauzë për të fituar për vete, luftën brenda shqiptareve, mu në kohën e një ballafaqimi jo të lehtë në përmbylljen e pa kompromis të shtetësisë sonë me Serbinë dhe anëtarësimin ne OKB: Kjo nuk është duke u bërë pa qëllim, kjo nuk e ndihmon Kosovën përballë Serbisë, kjo e rrezikon Kosovën”, tha Veseli.

Poashtu ai tha se PDK është e përkushtuar për të tashmen dhe të ardhmen dhe se nuk duhet të ketë kompromise me mashtrues.

“Nuk ka kompromis me mashtrues, nuk ka besim në ata që nuk mbajnë asnjë fjalë dhe i ndryshojnë në bazë të interesit dhe zorit. Kjo është arsyeja që qeveritë e mashtrimit po bien njëra pas tjetrës dhe as që do të mund të qëndrojnë. Qytetari ynë është shumë i mençur dhe i dallon këto kurthe. Duhet punë, vizion, guxim, vendosmëri dhe përgjegjësi për të çuar përpara amanetin e tribunëve të kombit tonë. Si PDK, jemi të përkushtuar për të sotmen dhe të ardhmen dhe vetëm për të. Por, edhe mund të flasim për secilën punë dhe ngjarje edhe të së djeshmes”, përfundoi Veseli. /Insajderi/