Veseli niset për Hagë: S’kam frikë nga e vërteta

Kadri Veseli: Jam i vetëdijshëm se ka njerëz në Kosovë që mendojnë se Dhomat e Specializuara janë një fyerje e luftës sonë historike për të mbrojtur popullin e Kosovës nga krimet e regjimit të Millosheviqit. Por unë nuk e shoh në këtë mënyrë, Unë e shoh si një mundësi që më në fund të përgjigjem ndaj këtyre dyshimeve dhe thashethemeve të rrejshme të cilat kanë qarkulluar për vite të tëra.

Veseli niset për Hagë: S’kam frikë nga e vërteta

Kadri Veseli, kryetari i Partisë Demokratike dhe një nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është nisur mëngjesin e sotëm për në Hagë, pasi ka pranuar një letër nga Gjykata Speciale se aktakuza kundrejt tij është konfirmuar, njofton Insajderi.

“E vlerësoj faktin që Dhomat e Specializuara kanë treguar mirësjellje duke më nisur një ftesë për tu paraqitur në gjykatë, në vend se të më arrestonin në mënyrë të padinjitetshme. Unë i jam përgjigjur këtij akti mirësjelljeje, duke u pajtuar që të udhëtoj këtë mëngjese për në Hagë me përfaqësues të tribunalit”,shkruan vetë Veseli në komunikatën e tij për media.

Ai ka shtuar se, meqë procesi i mbrojtjes kërkon shumë angazhim “kam vendosur që të tërhiqem nga të gjitha aktivitetet publike e politike për sa kohë zgjatë ky proces”.

Veseli ka deklaruar gjithashtu se “nuk do të bëj deklarata të tjera publike apo paraqitje zyrtare në Kosovë ndërkohë që procesi gjyqësor vazhdon”.

Prandaj edhe ka kërkuar që “ky qëndrim i imi të respektohet nga të gjithë në Kosovë, veçanërisht nga ata të cilët janë të angazhuar në media apo në jetën publike dhe politike”.

Ish-kryetari i Parlamentit të Kosovës dhe lideri aktual i PDK-së, thotë se në Hagë “do ta tregoj historinë time”, prandaj “nuk ka asnjë arsye për të pasur frikë nga e vërteta”.

“Nuk duhet ndërmarrë asnjë përpjekje për të minuar punën e tribunalit,  e as për të penguar dhe ndërhyrë në ndonjë mënyrë në këtë proces. Gjykata duhet të lejohet të kryej detyrën e rëndësishme që ne i kemi besuar. Integriteti i këtij procesi duhet të respektohet në çdo kohë dhe nga çdo kush”, shkruan pos tjerash./Insajderi.com