![Veseli për “Syrin e Popullit”: Këta janë krahu i armatosur i Vetëvendosjes](https://insajderi.com/wp-content/uploads/2018/12/veseli-2-730x440.jpg)
Në gjykimin e pjesëtarëve të organizatës “Syri i Popullit”, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili është ftuar në cilësinë e dëshmitarit, ka varguar një numër akuzash në drejtim të tyre.
Veseli e quajti këtë organizatë si “plehu i kombit” ndërsa e lidhi atë edhe me një parti politike të Kosovës. “Ky është krahu i armatosur i Vetëvendosjes”, tha Veseli në gjykatë.
Duke folur për letrat të cilat ishin shkruar në emër të të akuzuarit kryesor, Murat Jashari, kreu i Kuvendit Veseli, emri i të cilit figuron në një listë të pretenduar të kësaj organizate për likuidim, tha se Jashari nuk është autor i atyre letrave.
“Murati s’din me shkrujt, krejt ja ka shkrujt Sadri (Ramabaja). Sadrinë asnjëhere se kam pa, shkrimet i ka shkrujt ai”, tha Veseli.
Ndërsa i akuzuari Ramabaja nuk pranoi t’i bëjë pyetje Veselit.
“Nuk kam pyetje për dëshmitarin sepse u tregua që është mbi gjykatën”, tha Ramabaja. Veseli iu kundërpërgjigj menjëherë. “Sadri Ramabaja ka dalë mbi gjykatën dhe shtetin duke e marrë drejtësinë në duar”, tha ai.
Pjesëtarët e organizatës “Syri i Popullit” janë arrestuar pas plagosjes së avokatit kosovar, Azem Vllasi, në Prishtinë në mars të vitit të kaluar.
Më parë në këtë seancë gjyqësore, Veseli kishte pasur një përplasje verbale me anëtarin e “Syrit të Popullit”, Avni Llumnicës, ku intervenoi edhe policia.