Veseli shpërfill rekomandimet e Raportit të Progresit thotë se janë plotësuar kushtet për viza

Veseli shpërfill rekomandimet e Raportit të Progresit thotë se janë plotësuar kushtet për viza

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë/Përfaqësuesen e Posaçme e BE-së, Nataliya Apostolova, nga e cila pranoi raportin e Komisionit Evropian për Kosovën.

Përmes një komunikate për media Veseli theksoi se, “nëpërmjet këtij raporti, Bashkimi Evropian vlerësoi të arriturat e Kosovës në shumë fusha të rëndësishme dhe rikonfirmoi perspektivën e sigurt evropiane të Kosovës”.

Sipas Veselit qytetarët dhe institucionet e Kosovës besojnë në projektin e Bashkimit Evropian dhe po punojnë në vazhdimësi për të përmbushur kriteret e nevojshme që sa më parë edhe Kosova të bëhet pjesë e familjes evropiane.

Veseli ka injoruar Raportin e Progresit të publikuar gjatë ditës së djeshme nga Komisioni Evropian, i cili shprehej i shqetësuar për mosluftimin e krimit të organizuar dhe mos luftimin e korrupsionit.

Kreu i Kuvendit të Kosovës, ka thënë se institucionet kosovare tashmë i kanë plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe shprehu bindjen se gjatë këtij viti institucionet përkatëse të Bashkimit Evropian do të marrin vendimet e duhura për të mundësuar lëvizjen e lirë e pa viza për qytetarët e Kosovës në Zonën Shengen.

Por të kundërtën e asaj që po deklaron Veseli, thuhej në Raportin e Progresit, aty thuhet se korrupsioni ka qenë rekomandim i vitit të kaluar dhe që vazhdon të mbetet përsëri për shkak të mos përmbushjes së këtij rekomandimi.

“Korrupsioni është i përhapur dhe mbetet një çështje shqetësuese. Nevojiten përpjekje të përbashkëta për të trajtuar këtë problem në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe strategjike. Pasi që rekomandimet në raportin e vitit 2016 janë adresuar vetëm pjesërisht, ato mbeten të vlefshme”, thuhej në raportin e djeshëm të Raportit të Progresit, raporton Insajderi.

Liberalizimi i vizave për Kosovën – gjithçka që thuhet në Raportin e Progresit

Në anë tjetër Veseli është zotuar se të gjitha të gjeturat e raportit do të adresohen me kohë dhe institucionet e vendit do të vazhdojnë rrugën e reformave të nevojshme.

“Institucionet e Kosovës do t’i adresojnë edhe sfidat që janë identifikuar në raportin e Komisionit Evropian, pasi vetëm kështu forcojmë dhe ndërtojmë të ardhmen evropiane për qytetarët tanë”, tha Veseli.