Veseli: Do ta dyfishojmë buxhetin për zhvillimin e bujqësisë

Veseli: Do ta dyfishojmë buxhetin për zhvillimin e bujqësisë

Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, në një tubim me qytetarët e Kamenicës ka thënë se do ti fuqizojmë fermerët dhe do ta rrisim buxhetin e Kosovës në bujqësi.

Veseli ndër tjerash qytetarëve të Kamenicës ju premtoj se do të punojë në avancimin e gruas, fëmijëve dhe të rinjve.

“Orientimi ynë gjatë qeverisjes tonë do të jetë fuqizimi i fermerëve, gruas dhe fëmijëve tanë, kjo është ajo që kemi ne në platformën e koalicionit të lirisë, kjo është një pjesë që i duhet Kosovës tonë”, ka thënë Veseli.

Veseli u shpreh se “nëse ne do ti japim përkrahje dhe stimulim bizneseve të vogla, në të njëjtën kohë do të kemi 60 mijë vende të reja të punës”.

Mirëpo për liderin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselin bujqësia është njëri nga prioritet për qytetin e Kamenicës.

“Në të njëjtën kohë do të orientohemi edhe kah bujqësia, Kamenica ka një natyrë të mrekullueshme, një ajër të pastër dhe kjo na bënë  që të kemi zhvillim të bujqësisë dhe produkte bio”, është shprehur Veseli para qytetarëve të Kamenicës.

Ai ju premtoj se pas 11 qershorit do ta dyfishojë edhe buxhetin e Kosovës.

“Ne kemi pas një buxhet prej 58 milionë euro ndërsa, pas 11 qershorit do ta dyfishojmë buxhetin për orientim në bujqësi, për arsye se për të investuar në bujqësi, punësojmë të rinjtë tanë, fuqizojmë importet nga jashtë e gjithashtu edhe rrisim eksportin”, u shpreh Veseli.

Po ashtu edhe të rinjve ai ju tha se do ti përgatisim për tregun e punës dhe do të punojë më shumë në trajnimet profesionale.

“Kjo rini të cilën e kemi duhet të përgatitet për tregun e punës, do të ketë trajnime profesionale në mënyrë që të përgatiten për tregun e punës, që të jenë të gatshëm të zhvillojnë ndërmarrësin e gjithashtu do të trajnojmë çdo të ri në mënyrë që të integrohen edhe në tregun ndërkombëtar”, tha Veseli.

Ndërsa siç e quajti ai rinia akademike tha që të merren më shumë me studime sepse diploma e tyre nuk do të jetë më vetëm një letër.

“Rinia jonë akademike, të kryeni shkollën dhe të kryeni studimet sa ma shumë dhe ato diploma nuk do të jenë më vetëm letër, por ju ftoj që të fuqizohuni për Evropë sepse kjo është ajo çfarë presin prindërit nga ana juve e kjo është edhe ajo çka pret vendi nga ju”, u shpreh Veseli. /Insajderi.com