Veseli takohet me Marti Ahtisaarin në Finlandë – diskutuan për Kosovën

Veseli takohet me Marti Ahtisaarin në Finlandë – diskutuan për Kosovën

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, është takuar me ish-presidentin finlandez, Marti Ahtisaari, i cili edhe përgatiti pakon për statusin e Kosovës, mbi bazë të së cilës Kosova u shpall e pavarur. Veseli ka thënë se me Ahtisaarin kanë kujtuar punën e ish-presidentit finlandez, duke shtuar se i ka thënë që është krenar me shtetit që Ahtisaari ‘ia preu kërthizën’.

“Pata kënaqësinë ta takoj presidentin Marti Ahtisaari. Evokuam kujtime nga puna e tij që çoi në shpalljen e Kosovës shtet i pavarur dhe sovran, një ëndërr edhe përpjekje e gjatë e popullit tonë. Ne jemi krenarë që Kosova është bërë shembull i demokracisë për shumë vende”, ka thënë Veseli.

I pari i Kuvendit ka thënë se kanë shkëmbyer mendime rreth të ardhmes së Kosovës, sidomos lidhur me dialogun me Serbinë. Me presidentin Ahtisaari shkëmbyem shumë mendime për të ardhmen e Kosovës dhe këshillat e tij janë gjithmonë të mirëseardhura. Në ketë fazë, Kosova është e përkushtuar që të vazhdojë dialogun me Serbinë, për të përmbyllur përgjithmonë çështjet e hapura mes dy vendeve dhe për te ecur si dy vende sovrane në rrugën e integrimeve evropiane”, ka shkruar ai.

Ndryshe, Veseli ka udhëtuar për Finlandë për të realizuar disa takime me krerë të shtetit finlandez në prag të disa proceseve të rëndësishme për integrimin e vendit.