Kur Kadri Veseli priti në zyrën e tij presidentin dhe paraardhësin e tij në krye të partisë, Hashim Thaçin, që ia dorëzonte projektligjin për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri pa bërë ndryshimet kushtetuese, të dytë ishin shfaqur entuziast se kjo punë ishte çështje ditësh.
“Unë qysh nesër do të thërras Kryesinë e Kuvendit dhe do të procedojmë shumë shpejt, ashtu si parashihet përmes procedurave. Kosova ka nevojë për këtë ligj. Do të procedojmë shpejt”, kishte thënë Veseli.
Megjithatë pas disa javësh diskutime publike dhe kundërshtime të ashpra dhe këmbëngulëse të Ambasadës Amerikane dhe NATO-s, ky projektligj u tërhoq me arsyetimin se ende nuk ishin shterur të gjitha mundësitë për të bindur Listën Serbe që të votojë ndryshimet kushtetuese.
Por në një intervistë të dhënë për “EUROPP” – një blog i London School of Economics”, Veseli ka thënë treguar se tashmë zyrtarisht e vetmja mënyrë për ta bërë ushtrinë është përmes ndryshimeve kushtetuese.
“Mënyra më e mirë dhe e vetme për ta arritur krijimin e ushtrisë do të jetë përmes një procesi gjithëpërfshirës, i bazuar në ndryshimet kushtetuese”, ka thënë Veseli, raporton Insajderi.
Ai ka folur edhe për një marrëveshje mes Kosovës, NATO-s dhe SHBA-së kur ka përmendur ushtrinë.
“Është një marrëveshje në mes të udhëheqësve të Kosovës dhe aleatëve tanë në NATO, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të drejtën dhe nevojë e Kosovës që të ketë forcë të armatosur”, ka thënë Veseli.
Megjithatë ai ka kritikuar politikanët serb në Kosovë.
“Asnjë person nuk mund ta keq fuqinë e vetos për sigurinë e fëmijëve tanë dhe lidershipi serb në Kosovë duhet ta gjejnë forcën që t’i rezistojnë Beogradit për këtë çështje”, ka thënë Veseli.