Veseli uron nxënësit dhe mësimdhënësit për vitin e ri shkollor

Veseli uron nxënësit dhe mësimdhënësit për vitin e ri shkollor

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka uruar sot të gjithë nxënësit për fillimin e vitit të ri shkollor.

“Dua të uroj të gjithë nxënësit e Kosovës për ditën e parë të shkollës. Shpresoj që ky vit të jetë sa më i mbarë, i frytshëm e me rezultate sa më të mira për ta. Një urim veçanërisht të përzemërt e përcjell për ata nxënës që për herë të parë do të ulen sot në bankat e shkollës duke nisur një ndër rrugët më të bukura të jetës, rrugën e diturisë”, ka shkruar Veseli në faqen e tij në Facebook.

Ai po ashtu ka uruar edhe mësimdhënësit e prindërit për punën dhe angazhimin e tyre.

“Njëherazi uroj edhe mësimdhënësit, ata që nëpërmjet punës së tyre fisnike në përgatitjen e brezit të ri, kontribuojnë drejtpërdrejtë në të ardhmen e vendit. Urime gjithashtu prindërve në rrugën e përmbushjes nëpërmjet shkollimit, të ëndrrave më të mira që ata kanë për fëmijët e tyre. I siguroj ata se sakrifica që bëjnë për t’u mundësuar fëmijëve arsimim sa më cilësor, një ditë do të shpërblehet”, ka shkruar Veseli.