Veseli zgjedh Prizrenin e Ramadan Mujës për të “përjashtuar” ata që e shkelin ligjin

Veseli zgjedh Prizrenin e Ramadan Mujës për të “përjashtuar” ata që e shkelin ligjin

Kadri Veseli shkoi sot në një tubim të fushatës zgjedhore në Prizren. Nga aty, kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) zgjodhi të jap një mesazh të fortë: tha se askush prej njerëzve që e shkelin ligjin nuk do të jetë më në partinë e tij.

Para se të deklaronte kështu, Veseli po ashtu u shpreh se PDK është gati të marrë përgjegjësi të mëdha.

“Nuk do t’i tolerojmë fenomenet e përgjegjësisë politike, askush nuk do të jetë me ne prej atyre që shkelin ligjin”, deklaroi sot Veseli në Prizren.

Veseli: Ata që e shkelin ligjin nuk janë me neve

E këtë mesazh ndaj atyre që e shkelin ligjin, kryetari i PDK-së zgjodhi ta theksonte në Prizren; në komunën ku udhëhoqi për 10 vjet njeriu i PDK-së, Ramadan Muja, i cili ishte dënuar për korrupsion, raporton Insajderi.

Ramadan Muja ishte dënuar me 2 vjet burgim me kusht që ai të mos kryejë vepra të tjera penale gjatë 3 vjetëve të ardhshëm, në marsin e vitit 2014.

Ai ishte akuzuar nga EULEX-i për keqpërdorim të detyrës zyrtare bashkë me pesë zyrtarët komunalë. Muja po ashtu e ka pasur të ndaluar ushtrimin e funksioneve publike në kohëzgjatje prej 30 muajsh. Edhe pesë zyrtarët të tjerë të Komunës së Prizrenit ishin dënuar me kusht asokohe.

Pas 10 vjetësh udhëheqje me komunën e Prizrenit, PDK-ja zgjodhi që të mos e kandidonte më Ramadan Mujën për kryetar. Në vendin e tij, partia e Kadri Veselit e ka kandiduar për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totajn. /Insajderi.com