Vetëm dy kandidatë në garë për kreun e SHSKUK-së

Vetëm dy kandidatë në garë për kreun e SHSKUK-së

Në konkursin për Drejtor të Përgjithshëm të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës në fazën e parë, atë të testimit, gjatë të hënës i janë nënshtruar vetëm dy kandidatë, Valbon Krasniqi dhe Basri Lenjani, njofton Insajderi.

Për këtë fazë rekrutimi ishin përzgjedhur pesë kandidatë.

Përveç Saudin Maliqit, ish-këshilltar i Ministrit në Detyrë të Shëndetësisë Armend Zemaj i cili u tërhoq i pari nga gara gjatë javë së kaluar, janë larguar edhe Gani Halilaj që është Drejtor i Institutit të Forenzikës dhe Psikiatrisë, si dhe Driton Ukmata, profesionist në menaxhimin e sistemeve shëndetësore.

Ky i fundit deklaroi për Klan Kosovën se është tërhequr nga ky proces për shkak të politizimit të këtij konkursi. Sipas Ukmatës, ky proces e ka humbur legjitimitetin.

Njësoj edhe ish-pretenduesi tjetër, Gani Halilaj, ka thënë përmes telefonit se largimi i tij nga ky konkurs u bë për disa arsye personale, si dhe ndikimit politik në këtë proces rekrutimi.

Pak a shumë kështu kishte deklaruar edhe Saudin Maliqi.

Aktualisht në garë për kreun e SHSKUK-së janë Valboni Krasniqi, i cili e ushtron këtë funksion tash e disa muaj, si dhe drejtuesi i Klinikës Emergjente Basri Lenjani./Insajderi.com