Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ka thënë se qeveria e udhëhequr prej tij nuk është frikacake që ta lë punën në gjysmë, si kundërpërgjigje ndaj idesë së Nismës për Kosovës për të mbledhur nënshkrimet për rrëzimin e qeverisë.
NISMA ka bërë të ditur ditë më parë se do të iniciojë në Kuvendin e Kosovës një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë së Kosovës.
E kryeministri Mustafa, gjatë një tubimi me anëtarë të degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Shtime ka thënë se qeveria nuk do ta lë në gjysmë punën e nisur. Mustafa tha se qeveria ka punuar më së miri gjatë udhëheqjes së tij.
“Ne jemi që të respektojmë të gjitha proceset demokratike, dhe ne jemi për të mbajtur të gjitha përgjegjësitë para qytetarëve tanë për të përmbushur detyrimet tonë”, është shprehur Mustafa.
“Vetëm frikacakat dhe të papërgatiturit e lënë punën në gjysmë. Ne në LDK nuk e kemi në mend ta lëmë punën në gjysmë. Nuk shohim arsye ta bëjmë këtë, sepse kemi qeverisur më së miri. I kemi kontribuar vendit më së shumti në zhvillimin e ekonomik. Kemi zhvillimin më të mirë brenda 10 viteve të fundit”, ka thënë kryeministri Mustafa. /Insajderi.com