Të gjitha këto shërbime i kanë kryer 13 mijë e 518 veta, sa është edhe numri i përgjithshëm i të punësuarve në shëndetësi në sektorin publik në Kosovë.
Mbi 12 milionë herë shërbyesit mjekësorë në Qendrat e Mjekësisë Familjare në Kosovë kanë ofruar shërbime për qytetarët e shtetit vetëm gjatë vitit 2019, njofton Insajderi.
Statistikat zyrtare për shërbime shëndetësore nga Agjencia e Statistikave të Kosovës tregojnë se saktësisht numri i shërbimeve të ofruara nga QMF-të ishte 12 milionë e 315 mijë e 627 shërbime.
“Prej tyre në mjekësi familjare ishin 3 milionë e 953 mijë e 887 vizita, në stomatologji ishin 434 mijë e 668 vizita, në laboratore ishin 2 milionë e 321 mijë e 902 shërbime, si dhe në intervenime dhe shërbime të veçanta ishin 5 milionë e 605 mijë e 170 sosh”, thuhet në të dhënat e ASK-së.
Miliona shërbime janë kryer edhe në spitalet e përgjithshme.
Kurse në Qendrën Klinike Universitare, të dhënat tregojnë, se “kanë qenë 487 mijë e 238 ditë shërimi, me 78 mijë e 662 pacientë të shtrirë, ku 23 mijë e 905 prej tyre janë operuar”.
Gjithashtu, janë realizuar rreth 306 mijë e 919 vizita diagnostike për pacientë; 596 mijë e 632 vizita ambulantore dhe 463 mijë e 924 shërbime laboratorike, e po ashtu edhe 582 mijë e 617 shërbime të veçanta.
Të gjitha këto shërbime i kanë kryer 13 mijë e 518 veta, sa është edhe numri i përgjithshëm i të punësuarve në shëndetësi në sektorin publik në vitin 2019, prej tyre 3555 mjekë specialistë, 8386 infermierë dhe 1577 staf jo-mjekësor./Insajderi.com