Vetëm për turistë ndërkombëtarë – Si ia ndaloi Durrësi “Pavarësinë” kosovarëve  

Një vendim i papritur dhe i pa paralajmëruar i autoriteteve lokale në Durrës për të bllokuar rrugën kryesore në qytetin bregdetar “Pavarësia” vetëm për autobusët me pushues nga Kosova por jo edhe për autobusët nga vendet e tjera, ka shkaktuar shumë pakënaqësi.

Vetëm për turistë ndërkombëtarë – Si ia ndaloi Durrësi “Pavarësinë” kosovarëve  

Kur autobusët nga Kosova bëjë kthesën përfundimtare tek rrethrrotullimi i Tiranës dhe Durrësit, ata hyjnë në rrugën “Pavarësia”. Ajo është rindërtuar së voni dhe kalon mes bregdetit dhe pjesës tjetër të qytetit.

Autobusët e mbushur me kosovar fillojnë të bëjnë ndalesat e tyre përgjatë kësaj rruge e cila përfundon pak para se të bëhet kthesa për tek Shkëmbi i Kavajës.

Një ritual i tillë ka qenë i njohur për pushuesit nga Kosova, por që na e hëna, kalimi përmes kësaj rruge i autobusëve që vijnë nga Kosova është ndaluar, raporton Insajderi.

Një vendim të tillë e ka marrë perfekti i Durrësit, Emiljan Jani.

Ai u ka thënë medieve në Shqipërisë se është marrë ky vendim për të devijuar trafikun e pushuesve nga Kosova.

“Autobuzët e turistëve nga Kosova duhet të kalojnë nëpër unazën e plazhit dhe të mbërrijnë nëpërmjet rrugëve dytësore të kësaj zone në afërsi të rrugës ‘Pavarësia’”, ka thënë kryebashkiaku i Durrësit.

Por këtë devijim të trafikut nuk do të kenë nevojë ta bëjnë edhe pushuesit që vijnë nga vendet e tjera, me autobus.

Vet Jani pranon se nga ky vendim i marrë prej institucioneve në Durrës përjashtohen autobusët me turistë që vijnë nga vende të tjera në plazhin e Durrësit.

Autobusët me turistë të huaj qarkullojnë pa asnjë problem në rrugën e plazhit, sepse sipas prefektit janë më të pakët në numër, sesa autobusët me kosovarë.

Të gjithë pushuesit e mbërritur nga Kosova, por edhe shoferët e tyre nuk kanë qenë në dijeni të këtyre masave që mori pushteti lokal.

Ata e konsiderojnë diskriminim bllokimin e rrugës “Pavarësia” në plazh për kalimin e autobuzëve që mbërrijnë nga qytetet e Kosovës.

Tek Ura e Dajlanit dhe në Plepa, policia e qarkullimit rrugor ngriti postblloqe, duke mos lejuar asnjë prej autobusëve të mbushur me pushues të hyjnë në plazh. Ata autobusë që tentuan të hynin, u gjobitën, ndërsa ky vendim i policisë së qarkullimit rrugor u zbatua vetëm për autobusët që mbërrijnë nga qytetet e ndryshme të Kosovës dhe jo të shteteve të tjera, të cilët nuk janë penguar të hyjnë në rrugën “Pavarësia”.

Pushuesit kanë treguar se në pikun e të nxehtit janë detyruar që për rreth 2 orë të sorollaten nëpër rrugicat e plazhit për të gjetur një mundësi të mbërrinin në vendqëndrimet e tyre. Të shokuar janë të gjithë operatorët e biznesit në Durrës, por edhe banorët.

Nëse pushuesit nga Kosova nuk do të hyjnë në plazh, asnjë prej tyre nuk ka punë. Hotelet janë bosh në pjesën më të madhe, po ashtu edhe banesat që jepen me qira, shezlongët janë bosh në masë të madhe dhe e gjithë zona është në krizë.

Prej 17 vjetësh, Asim Aziri, është punonjës policie në Prishtinë. Po kaq vjet ka që për çdo vit ai dhe 50 anëtarë të familjes së tij të madhe kalojnë pushimet verore në plazhin e Durrësit.

Aziri, bashkëshortja dhe tre fëmijët e tij të mitur, mbërritën në plazh 2 ditë më parë. Autobusi me të cilin mbërritën nuk u lejua të hyjë në rrugën “Pavarësia”.

“U keqtrajtuam nga shteti nënë, u keqtrajtuam ne që vijmë dhe bëjmë pushime këtu. Përveç kosovarëve, asnjë pushues tjetër nuk është penguar të hyjë në plazh. Vitin tjetër do të shkojmë në Ulqin, nuk do të vijmë më në Durrës, pas kësaj që na bënë këtë vit”, shprehet Asimi, i cili përveçse është shumë patriot, është edhe shumë atdhedashës.

“Policia e Shqipërisë nuk ka solli asnjë pengesë nga kufiri deri në Durrës, por këtu tek Ura e Dajlanit nuk na lejuan të hynim. Na dërguan në Plepa, edhe atje nuk na lejuan të hynim në plazh. Me fëmijë të vegjël, me çanta e me valixhe, na bëjnë këtë keqtrajtim”, thotë Arsimi.

Punonjësi i policisë shprehet se si rezultat i kësaj gjendjeje, plazhi në Durrës është bosh. Njerëzit tanë nga Kosova nuk do të vijnë në Durrës. Prej ditësh që ndodh kjo gjendje nuk po vijnë më dhe kjo duket që plazhi këtë verë është bosh.