Veteranët akuzojnë qeverinë se nuk po bën asgjë karshi sulmeve të Serbisë ndaj UÇK – së

Veteranët akuzojnë qeverinë se nuk po bën asgjë karshi sulmeve të Serbisë ndaj UÇK – së

Ish-gjenerali i UÇK-së, Imri Ilazi, është ndaluar të shtunën nga autoritet policore të Turqisë, si pasojë e një liste të re që Serbia ka dërguar në Agjencinë Ndërkombëtare të Policisë, INTERPOL. Kjo u bë e ditur nga kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati, i cili apeloi te të gjithë ish-pjesëtarët e UÇK-së që këto ditë t’i shmangin udhëtimet jashtë Kosovës.

Ndërkohë, ish-pjesëtarë të tjerë të UÇK-së e akuzojnë Qeverinë e Kosovës  se po qëndron duarkryq karshi sulmeve të Serbisë kundrejt UÇK-së, njofton Insajderi

Ndër ish-komandantët që kanë reaguar ka qenë edhe Shukri Buja, i cili gjatë një prononcimi për KTV-në ka thënë se “nuk po më shqetëson reagimi i Serbisë, sa po më shqetëson mosreagimi i institucioneve tona”.

Ish-komandanti, Shukri Buja, thotë se “dialogu me Serbinë është i pakuptimtë nëse nuk ndalen sulmet e saj diplomatike kundrejt Kosovës”.

Ai po ashtu thotë se “institucionet vendore do duhej t’u kërkonin vendeve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës që mos ta njohin listën e INTERPOL-it, që ka për qëllim ndjekjen e ish-pjesëtarëve të UÇK-së”.

Pak orë më pas rastit, ka reaguar edhe  Gucati, por kësaj radhe për të njoftuar se ish-komandanti i UÇK-së, Imri Ilazi, është liruar nga autoritetet turke. Për këtë ai falënderoi Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, Ministrinë e Brendshme, si dhe Ambasadën e Kosovës në Turqi.

Se është ndaluar për shkak se emri i tij figuron në një listë të INTERPOL, e ka konfirmuar edhe vetë Imri Ilazi./Insajderi.com