Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, thotë se veteranët nuk mund të kenë pensionet më të vogla se pagën minimale, dhe siç thekson ai nëse ndryshohet ligji, do të organizojnë protesta, transmeton Insajderi.
Ai theksoi së nëse rritet paga minimale, automatikisht duhet të rritet edhe pensioni i veteranit.
“Ligji e thotë që veterani nuk mund të ketë pensionin më të vogël se pagën minimal. Nëse ndryshohet ligji, veteranët i bëjnë protesta qeverisë. Pse ta ndryshojnë, e veç veteranët po u dashka me vuajt në këtë drejtim a dhe të kenë pasoja. Por, nuk ka thënë askush që do ta ndryshojë ligjin”, deklaroi Klinaku për ‘KP’.
Në anën tjetër, ish-ministri i Financave nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, thotë se rritja e pagës minimale është e mirëseardhur, por shtoi se kjo do të ketë kosto shtesë, pasi siç tha ai, prekë edhe ligjin për veteranët.
“Ngritjen e pagës minimale keni premtuar diçka tjetër, tash thoni se do të ngritët në 250 euro. Bënë, mirë është kjo, por kjo kryeministër Kurti, ka kosto shtesë indirekt se i prek ligjet tjera 36 milionë euro në baza vjetore. Nuk i keni të planifikuara”, pohoi Hamza.
Edhe ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, kërkoi ta di se a do ta rriten edhe pagesat e veteranëve me rritjen e pagës minimale në 250 euro.
“Rritja e pagës në 250 euro për muaj kur do të bëhet kjo. A do të rriten pagesat e vesternëve dhe kur? Edhe veteranët edhe qytetarët sidomos ata të punuar në sektorin privat që janë rreth 240 mijë po presin se kur ky vendim do të hyjë në fuqi”, potencoi Bajrami.
Ndaj tyre, ka reaguar ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati i cili tha se ka zbuluar një paradoks nga ish-Qeveria e vitit 2017, e cila sipas tij ka shfuqizuar nenin 18 të Ligjit për veteranët që thirret në pagën minimale.
Ministri Murati la të kuptohet se nuk do të ketë rritje të këtyre pensioneve në kuadër të rritjes së pagës minimale.
“Është e çuditshme se si këta dy ish-ministra, njëri nga Partia Demokratike e Kosovës dhe tjetri nga Lidhja Demokratike e Kosovës, mos ta kenë informatën se cilat ligje janë në fuqi dhe cilat nene janë në fuqi e cilat jo. Madje, ku kanë qenë në qeveri, bashkë në koalicion e kanë shfuqizuar po atë nen i cili thirret në pagën minimale për pagesat për veteranë. Është fjala për nenin 18 të Ligjit për veteranët të luftës së UÇK-së i cili është shfuqizuar në vitin 2017 nga qeveria PDK-LDK”, ka thënë Murati.
Paga minimale që parashihet me planin qeverisës të rritet nga 170 në 250 euro ka sjellë pakënaqësi te veteranët e UÇK-së, pasi nuk pritet të rriten edhe pensionet e tyre që parashihte dikur Ligji për Veteranët.
Ligji i miratuar më 2014 përkatësisht neni 18, parasheh lartësinë e shumës së pensioneve për këto kategori, ku ishte vendos që mos të jetë më e vogël se paga minimale e përcaktuar në Kosovë.
Megjithëse, sipas zyrtarëve të Qeverisë Kurti 2, neni 18 i këtij ligji është shfuqizuar në vitin 2017 me ndryshimet ligjore të ligjit për veteranët dhe me këtë ndryshim nuk pritet të ketë rritje të pensioneve për këto kategori.
Ligji për veteranët ka hyrë në fuqi në vitin 2014, ndërsa ndryshimet ligjore janë bërë në fund vitit 2016, ndërsa në gazetën zyrtare është publikuar më 2017.
Aktualisht mbi 30 mijë veteranë të luftës së fundit marrin pensione nga buxheti i shteti ose mbi 60 milionë euro në vit. Për këtë kategori, ka pasur edhe proces gjyqësor./Insajderi.com