Është duke u mbajtur seanca virtuale e Gjykatës Kushtetuese për të dhënë verdiktin për votën e deputetit të dënuar, Etem Arifi për Qeverinë Hoti më 3 qershor.
Blerim Sallahu , parashtruesi i kërkesës në Gjykatën Kushtetuese nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se Qeveria Hoti nuk i ka 61 vota, njofton Insajderi.
Ai po ashtu theksoi se Komisioni Qendror Zgjedhor në fillim “ka gabuar” kur ka certifikuar Etem Arifitn si kandidat për deputet.
“GP i VV-së pretendon se qeveria s’ka arritur të marrë 61 vota në mënyrë që të konsiderohet e zgjedhur, kjo parasysh se Etem Arifi e ka humbur mandatin për faktin se ai është dënuar me vendim të formës së prerë nga gjykata e Apelit me dënim prej 1 viti e tre muaj. Rrjedhimisht qeveria nuk ka shumicën e nevojshme për zgjedhjen e saj. Duhet të sqarojmë kriteret kushtetuese ligjore. Janë dy forma të kufizimit të së drejtës për t’u zgjedhur. Pra kjo kufizohet me vendim gjyqësor sipas Kushtetutës dhe me ligj. Kufizimet mbi të drejtën për të zgjedhur duhet të behën në funksion të regjimit demokratik. Kufizimet nuk duhet të konsiderohen si kufizuese të demokracisë. Në këtë aspekt gjykata për Etem Arifin nuk ka nxjerrur vendim plotësues, andaj atij nuk i është kufizuar kandidimi”, tha ai. /Insajderi.com