Vetëvendosja fillon përgatitjet për protesta, fton edhe LDK-në të bëhen bashkë

Vetëvendosja fillon përgatitjet për protesta, fton edhe LDK-në të bëhen bashkë

Lëvizja Vetëvendosje me një komunikatë për media ka bërë të ditur se pas mbledhjes së kryesisë që e kanë mbajtur sot, ata kanë vendosur të fillojnë përgatitjet për organizimin e protestave.

Për një gjë të tillë partia e Albin Kurtit e ka ftuar edhe LDK-në, transmeton Insajderi.

“Kryesia e Lëvizjes VETËVENDOSJE! sot mbajti mbledhje të jashtëzakonshme të udhëhequr nga kryetari Albin Kurti. U shqyrtua gjendja politike, kriza institucionale dhe loja e rrezikshme e Presidentit Hashim Thaçi. Pas diskutimeve të anëtarëve të kryesisë u mor vendim që të ftojmë Lidhjen Demokratike të Kosovës për organizimin e përbashkët të protestave dhe të fillojmë përgatitjet për to”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Kjo është komunikata e plotë:

Kryesia e Lëvizjes VETËVENDOSJE! sot mbajti mbledhje të jashtëzakonshme të udhëhequr nga kryetari Albin Kurti. U shqyrtua gjendja politike, kriza institucionale dhe loja e rrezikshme e Presidentit Hashim Thaçi. Pas diskutimeve të anëtarëve të kryesisë u mor vendim që të ftojmë Lidhjen Demokratike të Kosovës për organizimin e përbashkët të protestave dhe të fillojmë përgatitjet për to. Nga kryesia e VETËVENDOSJE!-s ngarkohen kryetari, Albin Kurti, nënkryetari Besnik Bislimi, nënkryetarja, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, dhe, kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Glauk Konjufca, që të vendosin kontaktet dhe të zhvillojnë takim me udhëheqjen e LDK-së. Është e nevojshme që më së largu nesër të përcaktohet data e protestës.

Me këtë rast, Kryesia e Lëvizjes VETËVENDOSJE! lëshon këtë:

KOMUNIKATË

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pa mandat të Kuvendit po vrapon në negociata pa parime me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ne nuk mund të lejojmë pazare me sovranitetin, territorin dhe kufijtë e Kosovës. Aventura personale e Presidentit të Kosovës është e papranueshme. Ai po i mashtron si qytetarët e Kosovës ashtu edhe ata të Kosovës Lindore. Prandaj, ai duhet të largohet.

Qeveria e pakicës po e bojkoton Kuvendin e Republikës. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, duhet të dorëhiqet. Vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare. Kërkojmë zgjedhje të lira, demokratike dhe të ndershme. Nevojitet legjitimitet i ri i një qeverie të re.

Institucionet e Kosovës nuk po funksionojnë. Kuvendi është bllokuar. Presidenti i Serbisë do të vijë në Kosovë këtë fundjavë, por qeveria dhe policia e Kosovës nuk do ta arrestojë atë. ‘Zajednica’ Thaçi-Vuçiq është evidente. Presidenti i Serbisë nuk duhet lejuar të hyjë në Kosovë.

Sa më shpejt nevojiten ndryshime për ta shpëtuar Republikën e Kosovës. Protestat janë të domosdoshme. Gatishmëria e popullit është e lartë. Sepse masivisht kuptohet dëmi që mund të sjellë vonesa. Le t’i kthehemi qytetarëve dhe le t’i mbushim bashkë sheshet. Le të organizojmë tubime me qytetarë për protesta qytetare.

Ta ruajmë dhe mbrojmë shtetësinë dhe pavarësinë, sovranitetin dhe kushtetushmërinë, integritetin territorial e institucional të Republikës së Kosovës, popullsinë tonë në trojet e saj!