Tash e një javë studentët janë ngritur në protesta në Tiranë.
Këto protesta janë duke u përkrahur edhe nga Kosova.
Janë anëtarët të Lëvizjes Vetëvendosje të cilët ditë më parë kanë qenë të pranishëm atje. Të tjerë, përfshirë deputetë këto protesta i kanë mbështetur nga Prishtina, njofton Klan Kosova.
“Të jashtëzakonshme protestat studentore në Tiranë. Solidarizohem me studentët të cilët po kërkojnë të drejtat e tyre para Ministrisë së Arsimit në Tiranë! Ata nuk duhet të ndalen deri në realizimin e plotë të kërkesave të tyre të drejta”, ka shkruar deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu.
Ndërsa anëtari i kësaj lëvizjeje, Boiken Abazi ka thënë se situata atje do të ishte ndryshe po të ishte kryeministër kryetari i kësaj partie, Ablin Kurti.
“Të kishte qenë Albin Kurti kryeministër në Republikën e Shqipërisë, arsimi publik do të kishte qenë falas, pa patur nevojë as për protesta e as për diskutime të tepërta mbi këtë punë, sepse një forcë politike që pretendon të jetë progresive nuk mund ta trajtojë arsimin si mall tregu: arsimi dhe dija janë të drejta qytetare”, ka shkruar ai.
“Ftesë për universitarët: Nga bisedat me kolegë universitarë si dhe me dhjetëra studentë rezulton se protesta e studentëve është një ngjarje ekzemplare në Shqipëri. Por, ajo duhet të zgjasë deri sa të hapet një debat mbi ligjin për arsimin dhe rritjen e cilësisë së arsimit universitar.
Protesta e studentëve nuk është partiake, por politike. Studentët duhet të kthehen në grupin lëvizës të krejt shoqërisë”, ka thënë përmes Facebook, Elvis Hoxha një anëtar tjetër i Vetëvendosjes.
Në Tiranë është parë ditë më parë edhe zëdhënësja e VV-së, Tinka Kurti.