Zyra për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim brenda Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka njoftuar nga 47 kandidatët që janë të dënuar me vendim të plotfuqishëm të gjykatës, 26 janë tërhequr nga subjektet politike, njofton Insajderi.
Drejtori i kësaj zyre, Yll Buleshkaj, ka njoftuar se Lëvizja Vetëvendosje, AAK dhe Nisma janë në mesin e subjekteve që nuk i kanë zëvendësuar kandidatët.
“LDK, PDK, Lista Serbe dhe Partia Rome e Bashkuar”, i kanë zëvendësuar këta kandidatë”, është shprehur Buleshkaj.
E pas kësaj ka pasur një reagim nga ana e përfaqësuesit të Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi i cili ka thënë se duhet të votohet lidhur me certifikimin e listave.
“Unë sa i dëgjova këto, nuk dëgjova diçka të re që çon në drejtim të mungesës së vendimmarrjes. Pra, krejt çka dëgjuam dhe çka u tha, thuhet se zyra ka bërë rekomandim dhe ky rekomandim i zyrës për regjistrimin e partive politike duhet të dalë në votim, urdhëroni votoni si të dëshironi. Nëse ka diçka që nuk është e qartë, flisni.”, tha Kurteshi i Vetëvendosjes.
Pas tij, ka folur edhe përfaqësuesi i PDK-së në KQZ, Arianit Elshani i cili është shprehur se duhet të shpërndahen listat e të gjitha partive me emrat e deputetëve te anëtarët e partive politike në KQZ dhe kështu të procedohet me votim.
“Unë mendoj që është mirë të shpërndahen listat, ne nuk i kemi informatat e plota dhe është mirë kushdo që nuk i ka para vetës këto. Kështu që angazhoni partitë politike të cilat i kanë përmirësuar listat që të votohen.”, tha Elshani./Insajderi.com