Vetëvendosje: Baton Haxhiu po rren për ‘takimet’ e Kurtit me Thaçin

Vetëvendosje: Baton Haxhiu po rren për ‘takimet’ e Kurtit me Thaçin

Lëvizja Vetëvendosje e ka demantuar publicistin Baton Haxhiu, i cili deklaroi sot se lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është takuar dy herë gjatë ditëve të fundit me presidentin Hashim Thaçi.

Përmes një përgjigje me shkrim për Insajderin, Zyra për Informim e Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se publicisti Haxhiu ka gënjyer.

“Baton Haxhiu po rren dhe kjo s’përbën lajm”, thuhet në përgjigjen e LVV-së. “Presidentit më në fund po ia shpjegojnë rolin e vet, që është ceremonial e formal”.

Lëvizja Vetëvendosje shprehet se Haxhiu punon për interesa të presidentit Thaçi dhe “kundër Vetëvendosjes”.

“I zënë ngushtë në këtë pasivitet të sapozbuluar, ka mundësi t’i ketë dërguar letër Baton Haxhiut e t’i ketë kërkuar ta nxjerrë nga situata. Ky i fundit i gatshëm është të gënjejë, në ndihmë të presidentit e kundër Vetëvendosjes”, nënvizon LVV.

Haxhiu deklaroi të hënën se presidenti Hashim Thaçi dhe kryetari i LVV-së, Albin Kurti, janë takuar edhe dy herë të tjera, përveç takimit zyrtar në Presidencë për konsultimet për formimin e Qeverisë.

“Hashim Thaçi dhe Albin Kurti janë takuar dy herë. Dhe kanë biseduar gjatë”, u shpreh Haxhiu në një intervistë për Info Magazine të Klan Kosovës.

Sipas Haxhiut, takimet Kurti-Thaçi kanë ndodhur gjatë ditëve të fundit.

“Ata e dinë se cka kanë folur, unë nuk e di përmbajtjen, por megjithatë janë takuar gjatë. Janë treguar korrekt, nuk e kanë bërë publike”, ka thënë Haxhiu. /Insajderi.com