
Deklarata e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, për draft-marrëveshjen e arritur të mërkurën në Bruksel për targat e veturave, nga Lëvizja Vetëvendosje thonë se është keqkuptuar qëllimshëm, njofton Shqip.com.
Zëdhënësi i kësaj partie, Arlind Manxhuka, me anë të një postimi në Facebook, thotë se prania e shteti në pikat kufitare me Serbinë do të mbetet.

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje – Arlind Manxhuka
Teksa ka sqaruar deklaratën lidhur me këto tri keqkuptime që Manxhuka pretendon se kanë ndodhur, thotë se në këtë rast vetëm Njësia Speciale do të zëvendësohet me KFOR-in.
“Tri keqkuptime të qëllimshme nga deklarata e zv.kryeministrit Besnik Bislimi: 1. Në pikat kufitare do të jetë Policia e Kosovës, pra shteti i Kosovës, vetëm Njësia Speciale zëvendësohet me KFOR”, ka shkruar ai.

KFOR-i në veri të Kosovës
Në pikën e dytë të shtruar nga zëdhënësi i partisë në pushtet thuher se “parimi i reciprocitetit mbetet në fuqi, siç bëhet me targat e Kosovës do të bëhet edhe me ato të Serbisë”.
Ndërsa pika e tretë që ka të bëjë me Targat KM akronimi serbisht për Komunën e Mitrovicës, “nuk përbëjnë përjashtim, ato janë dhe mbeten ilegale për shtetin e Kosovës”, ka shkruar Manxhuka.
Pas një postimi të Bislimit në Facebook, pati reagime nga disa analistë e parti se me draft-marrëveshjen e djeshme “është hequr dorë nga Republika dhe simbolet e saj”.

Zëvendëskryeministri i Kosovës – Besnik Bislimi
Sipas draft-marrëveshjes që pala kosovare e ka pranuar, Njësia Speciale e Kosovës do të zëvendësohet nga KFOR-i për dy javët e ardhshme, barrikadat e protestuesve serbë do të hiqen, ndërsa reciprociteti do të vlejë, në kuptimin që as veturave nga Kosova e as atyre nga Serbia nuk do të duhet t’u ndërrohen targat, por vetëm t’u mbulohen simbolet shtetërore me një letër ngjitëse. /Insajderi.com