Vetëvendosje deklarohet për gjendjen shëndetësore të Kurtit

Vetëvendosje deklarohet për gjendjen shëndetësore të Kurtit

Lëvizja Vetëvendosje është deklaruar rreth gjendjes shëndetësore të liderit të tyre, Albin Kurtit, i cili sot njoftoi se ka rezultuar pozitiv në testin për COVID-19.

Në një përgjigje për Gazetën Online Insajderi, zëdhënësi i këtij subjekti politik, Përparim Kryeziu, ka bërë të ditur se gjendja e Kurtit është shumë e mirë, duke përjashtuar simptomat për të cilat ka njoftuar vetë kryetari i partisë më të madhe opozitare në vend.

Kryeziu tutje u shpreh se i pari i VV-së, po vazhdon të kryejë funskionet e tij edhe pse po qëndron i vetë-izoluar.

“Në përjashtim të simptomave për të cilat ka njoftuar sot vetë z. Kurti, gjendja e tij shëndetësore është shumë e mirë. Ai po vazhdon kryerjen e funksioneve të tij, ndonëse në vetzolim”, ka thënë ai për redaksinë.

Se është infektuar me Coronavirus, ka informuar vetë Kurti sot me anë të një postimi në Facebook, ku tha se kishte disa simptoma si kokëdhembje të lehtë, kollitje dhe dhembje e skuqje të syve.

Ai tutje ka shkruar se në dy javët e ardhshme do të qëndrojë në vetizolim

“Të nderuar anëtarë të Lëvizjes e qytetarë të Republikës,

Parmbrëmë kisha disa simptoma: kokëdhembje të lehtë, pak koll dhe dhembje e skuqje të syve. Dje jam testuar për COVID-19 dhe kam rezultuar pozitiv. Në dy javët në vijim do të qëndroj në vetizolim”, ka thënë Kurti. /Insajderi.com