Vetëvendosje e bindur: Kurti do t’i prijë listës

Vetëvendosje e bindur: Kurti do t’i prijë listës

Gjykata Kushtetuese ka publikuar sot aktgjykimin e plotë që shpalli antikushtetuese Qeverinë Hoti, për shkak të procesit se si ishte votuar kjo qeveri.

Këtë aktgjykim, disa palë e kanë lexuar edhe për dhënë opinion për një situatë tjetër, duke thënë se Albin Kurti, i cili është i dënuar me vendim të prerë të Gjykatës për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvend, nuk do të mund të kandidoj për deputet.

Kjo deri më tash ende nuk është qartësuar përfundimisht.

Lidhur me ketë kontestim, ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje.

Fillimisht Këshilltari ligjor në Lëvizjen Vetëvendosje, Blerim Sallahu, ka komentuar aktgjykimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese për votimin e Qeverisë Hoti, në të cilin gjithashtu sqarohet çështja më e diskutuar, ndalesa e kandidimit për deputet për ata që janë dënuar për vepër penale me vendim gjyqësor të formës së prerë në tri vitet e fundit.

Sallahu përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se “në aktgjykimin është bërë kufizimi i kandidatëve për të garuar në zgjedhjet e ardhshme, por që kjo sipas tij, nuk vlen për Albin Kurtin dhe kandidatët që kanë pasur dënime alternative”.

“Nga ana tjetër, kur ndodh, kufizimi për të mos kandiduar do të duhet të jetë “kufizim i pandërprerë” për aq sa janë afatet ligjore e kushtetuese. Përndryshe çdo veprim tjetër nga autoritetet përkatëse, do të ishte në kundërshtim me parimin e drejtës së fituar, i cili është parim i përgjithshëm i së drejtës ndërkombëtare publike dhe i rrënjosur si element i sundimit të ligjit brenda përmbajtjes së rendit kushtetues të përcaktuar në Kushtetutën e Kosovës”.

Ndërsa Albulena Haxhiu, e cila gjithashtu është një nga të dënuarat për hedhje të gazit lotsjellës, ka shkruar sot se Albin Kurti do të jetë ai që do i prijë listës për deputet.

“Këto ditë caktohet data e zgjedhjeve të reja që do të jenë manifestim solemn i demokracisë ku Lëvizja VETËVENDOSJE!, listës që do t’i prijë Albin Kurti do të marrë mbështetjen e fuqishme popullore”, ka shkruar Albulena Haxhiu në Facebook.

“Në anën tjetër tentativa për të krijuar rrethana të paqena, të pabaza dhe të pasakta duke i futur gjithë dhe të gjitha veprat në një thes është e papranueshme dhe e gabueshme”, ka shkruar tutje ajo.

Vota e Hetem Arifit për Qeverinë Hoti, i cili ishte i dënuar me vendim përfundimtar të Gjykatës, po e çon vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme./Insajderi.com