Lëvizja Vetëvendosje e ka konsideruar të dëmshme marrëveshjen e nënshkruar nga Kosova dhe Serbia, më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, njofton Insajderi.
Kështu kanë bërë të ditur nga kjo parti në një konferencë për media, të cilët thonë se Serbia një gjë të tillë po e bën për dominim ekonomik me Kosovën.
Nënkryetari i LVV-së, Glauk Konjufca e ka quajtur marrëveshjen me Serbinë, “nënshtrim pa njohje”, teksa ka shtuar se vetëm gjysma e LDK-së dhe NISMËS e përkrah këtë marrëveshje.
Sipas tij, zgjidhja e vetme është mocioni për rrëzimin e qeverisë, për çka ka kërkuar edhe përkrahjen e PDK-së dhe AAK-së e që sipas tij këta të fundit janë shprehur kundër marrëveshjes.
“Mua më duket që kjo ishte një marrëveshje “nënshtrim pa njohje”. Së pari, tërheqja e kryeministrit Hoti pa njohje është lajm i keq, i bie që Qeveria e Kosovës i shkon për shtati asaj të Serbisë. Kosova s’ka nevojë të paguajë asgjë për njohjen e Serbisë. Çmimin më të madh ne e kemi paguar gjatë kohës së gjenocidit të kryer nga Serbia. Kosova absolutisht nuk duhet të jep asgjë nga shtetësia e vet. E pamë se si në këtë proces të negociatave mes Kosovës dhe Serbisë, për herë të parë fatkeqësisht u hap tema e resurseve të Kosovës. Për herë të parë një kryeministër u pajtua që Ujmani të jetë pjesë e negociatave dhe të del në tryezën e dialogut”, tha Konjufca.
Ai tha se kushdo që pranon të jep resurset e Kosovës, bën një krim të madh. Ndër tjera, Konjufca shtoi se është shqetësuese se si Qeveria e Kosovës pranon që për një vit të mos aplikojë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. /Insajderi.com