Vetëvendosje fton Armend Zemajn që të raportojë në Kuvend për situatën me COVID-19 në Kosovë

Vetëvendosje fton Armend Zemajn që të raportojë në Kuvend për situatën me COVID-19 në Kosovë

Lëvizja Vetëvendosje ka ftuar ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, që të raportojë për situatën me COVID-19 në Kosovë, njofton Insajderi.

Me anë të një njoftimi për media, nga VV thonë se është e rëndësishme që Kuvendi i Kosovës të diskutojë për gjendjen e krijuar nga pandemia në vend, dhe se ministri Zemaj të raportojë para deputetëve për situatën, si dhe për masat që janë ndërmarrë dhe që duhet të ndërmerren për të mbrojtur shëndetin publik.

“Gjendja pandemike në vend është përkeqësuar në mënyrë drastike. Pavarësisht përpjekjes vetëmohuese dhe përkushtimit të punonjësve shëndetësorë, numri i madh i të infektuarve, spitalet e mbingarkuara dhe paaftësia e kësaj Qeverie po e bëjnë përballjen me COVID-19 trefishë më të rëndë për qytetarët e Kosovës. Gjatë javës së fundit janë regjistuar rreth 2500 raste të reja, kurse betejën me këtë virus e kanë humbur mbi 30 qytetarë. Këto shifra janë alarmante”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Ndërkaq, shton se kjo është indikativë se Kosova po shkon drejt themelimit të krizës.

“Kjo është indikative se Kosova po shkon drejtë thellimit të krizës. Ndonëse Ministri kishte premtuar spital të veçantë për COVID-19, realizimi i tij nuk duket gjëkundi, e Klinika Pulmologjike dhe spitalet rajonale nuk kanë kapacitet për trajtim të një vale të re të të prekurve. Qytetarët e Republikës ndodhën pa mbështetje dhe pa përkujdesje. Shpërfillëse ndaj gjendjes së qytetarëve, kjo Qeveri është zënë e befasuar në paaftësinë e saj. Me riciklim masash pa efekt e jo të duhura, të vonshme e të pazbatuara, Ministria e Shëndetësisë është shndërruar në një departament të dobët të mbledhjes së statistikave. Shifrat tregojnë se masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës janë të mangëta, pa analizë dhe pa vlerësim për efektet e tyre në terren”, thuhet mes tjerash në komunikatë.

Tutje thuhet se “Është e rëndësishme që Kuvendi i Kosovës të diskutojë për gjendjen pandemike në vend, dhe se ministri Zemaj të raportojë para deputetëve për situatën, masat që janë ndërmarrë dhe ato që duhet të ndërmerren për të mbrojtur jetën e qytetarëve dhe shëndetin publik në përgjithësi”. /Insajderi.com