Lëvizja Vetëvendosje ka kundërshtuar referendumin, siç e ka quajtur ajo jolegjitim, që është paralajmëruar të mbahet me 25 shtator në Bosnjë Hercegovinë nga Milorad Dodiku, Presidenti i “Republika Srpska”.
Përmes një njoftimi për media kjo lëvizje thotë mbajtja e tij nuk mund të pretendohet si mbrojte e vlerave të demokracisë në “një vend ku janë shfarosur njerëzit prej atyre që sot po e organizojnë këtë referendum”.
“Ky referendum që ka si gurthemel krimin ndaj njerëzimit është zgjatim i këtij krimi në Bosnjë e Hercegovinë”, shkruan në komunikatën e VV-së.
Sipas VV-së ky referendum po organizohet për të legjitimimin “Ditën e Republikës” së “Republika Srpska”, e cila pati shpallur pavarësinë prej Bosnjës me 9 janar të vitit 1992, pavarësisht se Gjykata Kushtetuese e BH-së e shpall këtë referendum të jashtëligjshëm dhe diskriminues ndaj popujve joserbë të Bosnje Hercegovinës.
Sipas VV-së ky referendum shkon në drejtim të kundërt të zhvillimit shtetëror të Bosnje Hercegovinës.
“Degradimi i sovranitetit të Bosnje Hercegovinës, dhe rikthimi i politikave ekspansioniste të Serbisë, përbëjnë një kërcënim direkt për sigurinë në të gjitha vendet e Ballkanit. Kjo ngjarje është kambanë alarmi për mbarë Evropën. Prandaj, mbajtja e këtij referendumi duhet kundërshtuar me çdo kusht”, përfundon komunikata e VV-së./Insajderi.com