
Lëvizja Vetëvendosje ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, të cilin ka vazhduar ta konsiderojë “jolegjitim”.
Në këtë konferencë është trajtuar pika e 15 e marrëveshjes së Uashingtonit që lidhet me memorandumin një vjeçar për ndalimin e përpjekjes së Kosovës rreth anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare.
Deputetja, Fitore Pacolli , tha se me këtë veprim, Kosova hoqi dorë nga shtetësia e saj.
“Ky zotim vuri në pah gatishmërinë e kësaj qeverie jolegjtime që të suspendohet nga anëtarësimi në organizata ndërkombëtare. Do t’i shkaktojë dëme Kosovës ky moratorium. Në pikën e parafundit të Marrëveshjes theksohet kjo. Pra kemi një kryeministër ilegal që bëri shkelje kushtetuese. Është precedent i pashembullt”, tha Pacolli.
Ajo ka thënë se nuk ka asnjë shtet, që ka marrë vendim për ndalimin e aktiviteteve për anëtarësim.
“Është tejet me rëndësi për shumë fusha, e sidomos për të ndikuar tek shtetet që s’e kanë njohur Kosovën. Pse tani? Procesi i forcimit të shtetit të Kosovës për anëtarësime ka degraduar, madje edhe në anëtarësim me fusnotë. Ndërsa tani kemi hequr dorë plotësisht. E para reduktoi anëtarësimin të Kosovës me fusnotë si dhe bllokon Kosovën në shumë dimensione”, ka thënë Pacolli në konferencën për media të VV-së. /Insajderi.com