Vetëvendosje në kohën kur nuk vetëvendoset

Shkruan: Redi Shehu

Vetëvendosje në kohën kur nuk vetëvendoset

Ishin vetëm pak orë të mjaftueshme pas mbylljes së kutive të votimit për t’u dhënë zgjedhjeve parlamentare në Kosovë të gjithë siluetën e një dite europiane zgjedhjesh. Krejt ndryshe nga çfarë jemi mësuar këtu në Shqipëri, ku para dhe pas zgjedhjeve, ka një atmosferë ku të shtypet zemra e të ngushtohet shpirti nga zallamahia e së dukshmes dhe së padukshmes, që vepron pa fre’ gjatë gjithë procesit. Zgjedhjet në Kosovë, sigurisht, që përcaktuan një farë epërsie elektorale në raport me ne, gjithashtu, ishin një mësim tregues sesi shembujt pozitivë nuk qëndrojnë krejt larg.

Në Kosovë nuk ka filluar një epokë e re dhe as nuk ka ndodhur ndonjë rilindje, thjesht atje është bërë një hap më përpara drejt standardeve dhe drejt një pjekurie politike. Zgjedhësit kosovarë i kanë dhënë vetes hapësirën qytetare që të mandatojnë një forcë të paprovuar më parë, nisur kjo nga besueshmëria që “Lëvizja Vetëvendosje” ka krijuar në elektorat, për shkak të qëndrueshmërisë së saj gjatë pothuaj një dekade e gjysmë. Lideri i kësaj lëvizje, Albin Kurti, sprovën më të madhe nuk do ta ketë me pushtetin, por me vetë Albin Kurtin. Ai duhet t’u provojë jo vetëm qytetarëve që e zgjodhën, por edhe vetes, se i gjithë artikulimi opozitar i tij, nga gjuhë populiste, duhet të shndërrohet në akte realiste të pushtetit.

Vetëvendosja mandatohet nga zgjedhësit për të qenë në krye të udhëheqësisë së Kosovës. Kjo është një kohë e vështirë ndërkombëtarisht për një lëvizje sovrane, e cila me guxim nuk ka reshtur së artikuluari për interesin dhe bashkimin kombëtar. Çështja sot është pak më e komplikuar, jo sepse ajo që Vetëvendosja ka aspiruar është e gabuar, por, sepse sot, Vetëvendosja është në një realitet ku nuk mund të vetëvendoset për shkak të situatës gjeopolitike dhe aleancës me partnerët tanë strategjikë.

Është pikërisht këtu, që Albin Kurti duhet të negociojë me Albin Kurtin për të bërë ato modifikime “të shëndetshme” në vijën politike të Vetëvendosjes. Tashmë, si forcë e parë, ajo duhet që nga njëra anë të mos zhbëjë koherencën politike dhe kombëtare të saj në raport me të shkuarën, por nga ana tjetër duhet edhe të bashkëpunojë me ndërkombëtarët për një zgjidhje përfundimtare të marrëdhënieve me Serbinë. Gjatë viteve të fundit, për shkak të defekteve qeverisëse, korrupsionit dhe shumë simptomave të tjera të ngjashme, të cilat e degdisën partinë udhëheqëse në parti të tretë, patën bërë që Kosova të konsiderohej ndërkombëtarisht, nga një “çështje e mbyllur” pas pavarësisë, në një “çështje të hapur” me deklarata për tërheqjen e njohjeve si dhe me debatet për ndryshimin e kufijve të saj.

“Lidhja Demokratike e Kosovës” dhe “Vetëvendosja” janë të dënuara të bashkëjetojnë politikisht, ngjashëm me vëllezërit siamezë, të cilët duhet të koordinojnë çdo lëvizje të përditshme së bashku, që të kenë sukses, ndërkohë që duhet t’i shmangen ndarjes, e cila rrezikon t’i çojë drejt vdekjes. Ky bashkim, nëse ndodh dhe që i ka të gjitha gjasat të ndodhë, është një zgjidhje perfekte në ndërtimin e një ekuilibri të shëndetshëm kombëtar. Nga njëra anë kemi Vetëvendosjen, e cila si filozofi të saj ka “vetëvendosjen” dhe nga ana tjetër kemi një forcë politike si LDK që më shumë anon në “bashkëvendosje”. E mesmja e artë mes vetëvendosjes dhe bashkëvendosjes do të ishte ndoshta formula më e mirë politike për ardhmërinë e Kosovës dhe sigurisht, një ardhmëri e mirë për proceset e integrimit dhe të bashkimit.

Të marra të ndara me njëra-tjetrën, filozofia e LDK-së me bashkëvendosjen në shkallë të gjerë ndërkombëtarisht anonte qartësisht më shumë drejt integrimit si procesi i vetëm dhe unikal në politikat e jashtme të Kosovës, duke lënë pas dore aspiratën shekullore kombëtare. Nga ana tjetër, filozofia e Albin Kurtit dhe partisë së tij me vetëvendosjen politike, anonte më shumë drejt bashkimit kombëtar si procesin unik të Kosovës, duke nënkuptuar një stad të dytë: integrimin dhe politikat integruese në organizmat europianë. Një aleancë e suksesshme mes “Vetëvendosjes” dhe LDK-së, gjithmonë nëse liderët dalin mbi veten, do të ishte kalibrimi perfekt mes aspiratës së integrimit dhe aspiratës së bashkimit. Kjo do t’i sillte të dy axhendat për herë të parë në një tryezë dhe ajo çka është më e rëndësishme, do të ngushtonte kohën politike mes të dyja këtyre proceseve kaq të rëndësishme për të gjithë.

Politikat ndërkombëtare në Ballkan, politikat e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, tregojnë për një interes të shtuar ndaj ngjarjeve që pritet të ndodhin. Për herë të parë, përveç përfaqësuesit të posaçëm të Departamentit të Shtetit për Ballkanin, Matthew Palmer, Presidenti Trump ka zgjedhur si të dërguar të posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadorin e SHBA–ve në Gjermani, Richard Grenell. I gjithë procesi i dialogut, si dhe proceset e tjera që do të pasojnë, do të jenë nën monitorimin e administratës amerikane. E gjithë kjo e bën vetëvendosjen një proces të vështirë politik, por jo të pamundur. Thjesht, duhet ai ekuilibri që konvergon interesat tona me gjeopolitikën drejt një momenti të spikatur historik.