Vetëvendosje nis “festën e fitores” në Gjilan e Mitrovicë

Vetëvendosje nis “festën e fitores” në Gjilan e Mitrovicë

Lëvizja Vetëvendosje ka nisur festën në dy komuna të Kosovës, për të festuar “fitoren” në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, akoma pa u mbyllur të gjitha qendrat e votimeve, njofton Insajderi.

Kjo festë e VV-së ka nisur pasi në orën 19:00 në katër mediume vendore janë publikuar Exit Poll-e të ndryshme, të cilat këtë parti e kanë paraqitur si fituese të këtyre zgjedhjeve.

Në rrugët e Mitrovicës përkrahës të shumtë kanë dalë për të festuar këtë fitore akoma të pakonfirmuar nga Komisioni Qendror Zgjedhor.

Aty është parë edhe kandidati i kësaj partie për deputet, Armend Muja.

Festën simpatizantët e Vetëvendosjes e kanë nisur edhe në Komunën e Gjilanit.

Aty festa ka nisur me surle e tupanë.

Kujtojmë se, të dhënat aktuale të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve tregojnë se 802 mijë e pesë persona kanë dalë të votojnë.

Siç bëhet e ditur në njoftimin e fundit në faqen e KQZ-së, nga një milion e 794 mijë e 862 votues në listën e votuesve, bazuar në përqindjen prej 91,50% të përditësuar deri më tani, mbi 800 mijë persona u janë drejtuar kutive të votimit.

Përqindja është më e ulët sesa në zgjedhjet e kaluara të 6 tetorit të vitit 2019./Insajderi.com