Vetëvendosje nuk e përjashton mundësinë për koalicion me PSD-në

Vetëvendosje nuk e përjashton mundësinë për koalicion me PSD-në

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) është  e gatshme për zgjedhjet e jashtëzakonshme. Në këto zgjedhje LVV ende nuk ka vendosur nëse do të shkojë në koalicion, sado që thekson se është në bisedime me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Albulena Haxhiu nga LVV në një deklaratë dhënë Telegrafit ka thënë se këto zgjedhje i kanë pritur që moti, pasi  sipas saj Qeveria Haradinaj ka qenë qeveri e skandaleve.

Ajo ka deklaruar se vijat e kuqe i kanë me PDK-në pasi që sipas saj ky subjekt duhet të pastrohet derisa ka thënë se me PSD-në nuk kanë pasur ndonjë komunikim.

“VV nuk hynë në koalicion me PDK-në në asnjë rrethanë. PDK duhet të pastrohet, e për t’u pastruar dhe për të dhënë përgjegjësi për dëmet i duhet kohë. Në këtë kuptim nuk bënë VV koalicion me PDK-në që është përgjegjësja më e madhe e të gjitha dëmeve që i janë shkaktuar vendit”, ka deklaruar Haxhiu.

“Aktualisht nuk kemi ndonjë komunikim me ta. I vetmi subjekt me të cilin po komunikojmë është LDK-ja. Dhe qeverisja e ardhshme duhet të jetë VV-LDK”, ka theksuar ajo.

Zgjedhjet e parakohshme, do të mbahen pasi që kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje pas ftesës që ka pranuar për intervistim nga Gjykata Speciale në Hagë.