Vetëvendosje nuk respekton afatin kohor prej 48 orësh të presidentit Thaçi, thotë se do ta respektojë Kushtetutën

Vetëvendosje nuk respekton afatin kohor prej 48 orësh të presidentit Thaçi, thotë se do ta respektojë Kushtetutën

Lëvizja Vetëvendosje, ka bërë të ditur sot se nuk do ta respektojë afatin kohor prej 48 orësh, të cilin ia ka dhënë presidenti i vendit, Hashim Thaçi për propozim të mandatarit për kryeministër.

Në mbledhjen e mbajtur sot të VV-së, është marr vendim që propozimin do t’ia dërgojë me shkresë zyrtare Presidentit të Republikës në ditët në vijim, raporton Gazeta Insajderi.

“Në respektim të plotë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Nenit 84 pika 14 dhe Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese KO 103/14, subjekti ynë do të bëjë propozimin për mandatarin për Kryeministër. Këtë propozim do t’ia dërgojmë me shkresë zyrtare Presidentit të Republikës në ditët në vijim”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Po ashtu edhe nënkryetarja e Kuvendit, nga Lëvizja Vetëvendosje, Arbërie Nagavci pas përfundimit të mbledhjes në një prononcim për gazetarë ka treguar detaje se çka është biseduar në mbledhje të partisë.

“Në mbledhjen e kryesisë ne diskutuam dhe morën vendim se në bazë të kushtetueses, se LV në ditët në vijim do t’i dërgojmë shkresë formale presidentit me emrin e personit që e mandatojmë për kryeministër. Presim që sipas kushtetutës presidenti të dekretojë propozimin tonë. Në ndërkohë siç jeni në njohuri kanë filluar diskutimet me LDK-në dhe ne presim që të finalizojmë marrëveshjen”, ka thënë Nagavci, raporton Insajderi.

Ndërsa nga ana tjetër, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri në një prononcim për Gazetën Insajderi, ka treguar se sot do të takohen dy liderët e partive në përpjeke për të arritur një marrëveshje për koalicion.

“Vazhdohet me takime sot është takimi i formatit të ekipev,e liderët janë të mbështetur me plus tre zyrtarë të partive ma të lartë nuk është ndërruar formacioni I bisedimeve deri tani , ne dje kemi zhvillu bisedime për mbi tre orë kurse sot do të vazhdohet atu ku e kemi lënë dje, në përpjekje që të arrijmë një koalicion”, ka thënë Haziri për Insajderi. /Insajderi.com