Vetëvendosje publikon letrat ku iu kërkoi takim PDK-së, LDK-së e AAK-së

Vetëvendosje publikon letrat ku iu kërkoi takim PDK-së, LDK-së e AAK-së

Drejtori i Divizonit për Media i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ka publikuar letrat të cilat kjo parti ua ka dërguar subjekteve të tjera politike, Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmëri të Kosovës, të cilat tregojnë se i pari i kësaj partie, Albin Kurti, dhe presidentja në detyrë, Vjosa Osmani, kanë kërkuar takim me krerët e këtyre partive politike, njofton Insajderi.

Këto dokumente Manxhuka i publikoi me anë të një postimi në Facebook, ku gjithashtu njoftoi se letër ftese i është dërguar edhe subjekteve të komuniteteve pakicë.

“Këto janë letrat që Kryetari Kurti dhe kandidatja për presidente Vjosa Osmani kanë nisur në drejtim të subjekteve politike. Po ashtu kjo letër i është dërguar edhe subjekteve politike nga komunitetet”, thuhet në njoftim.

Fituesi I zgjedhjeve të 14 shkurtit, Albin Kurti dhe e propozuara për presidente nga lista e VV-së, Vjosa Osmani, kanë ftuar ushtruesin e detyrës së kryetarit të PDK’së, Enver Hoxhajn, për një takim të hënën më 15 mars në ora 11:30.

Një ftesë e njëjtë në përmbajtje i është dërguar edhe kryetarit të LDK-së, i cili do të zgjidhet me 14 mars. Takimi me kryetarin e ri të LDK-së mund të ndodhë më 15 mars në ora 12:30.

Ndërsa, me të parin e AAK-së, Ramush Haradinajn, VV-ja planifikon të takohet në ditën e njëjtë në ora 13:30.

Në letër thuhet “I nderuar (kryetar), Barazuar në rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme të 14 shkurtit, është shumë me rëndësi që të procedohet tutje me formimin e institucioneve që reflektojnë vullnetin qytetar të shprehur në zgjedhje, sapo të certifikohen rezultatet përfundimtare nga ana e KQZ’së.

Me qëllim që ky proces i konstituimit të institucioneve të bëhet sa më shpejtë dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën e vendit dhe legjislacionit në fuqi, ftoheni për konsultim për hapat e mëtejmë në këtë proces. Propozojmë që takimi të mbahet në formatin 1+1, më 15 mars në orën –:– në sallën N-303 të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Me respekt, Albin Kurti – Kandidat për kryeministër dhe Vjosa Osmani-Sadriu – Kandidate për Presidente”.  /Insajderi.com

Këto janë letrat që Kryetari Kurti dhe kandidatja për presidente Vjosa Osmani kanë nisur në drejtim të subjekteve politike. Po ashtu kjo letër i është dërguar edhe subjekteve politike nga komunitetet.

Posted by Arlind Manxhuka on Thursday, March 11, 2021