Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas incidentit që ndodhi afër kishës ortodokse në kampusin e Universitetit të Prishtinës, ku disa studentë u arrestuan nga policia gjatë një aksioni për kundërshtimin e funksionalizimit të kësaj kishe.
Sipas Vetëvendosjes, Policia e Kosovës nuk intervenoi disa ditë më herët kur zyrtarë të manastirit të Graçanicës, jashtëligjshëm u futën në këtë objekt dhe filluan punimet për rinovimin e tij.
“Lëvizja Vetëvendosje e dënon ashpër intervenimin e dhunshëm të Policisë së Kosovës ndaj studentëve të Universitetit të Prishtinës të cilët thjeshtë vendosën një pano prej letre para kësaj kishe. Ky objekt, i ndërtuar gjatë regjimit të Millosheviqit, simbolizon planet e tij për spastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë dhe uzurpon hapësirën e Universitetit të Prishtinës”, thuhet në reagim.
Aktivistë të Lëvizjes Studentore Studim, Kritikë, Veprim si dhe studentë të tjerë të përkrahur nga Parlamenti Studentor, organizuar një aksion të shtunën kundër funksionalizimit të kishës ortodokse.
Aksioni i tyre erdhi si reagim pasi që priftërinj ortodoksë, zyrtarë të Listës Serbe dhe vetë zëvendëskryeministri i Kosovës, Branimir Stojanoviq, kanë filluar para disa ditëve riparimin e kësaj kishe por punimet janë ndërprerë nga Komuna e Prishtinës.
Disa studentë u arrestuan gjatë tentimit për të vendosur një parullë në derën e kishës, por më vonë u lejuan të bëjnë një gjë të tillë nga Policia e Kosovës.
Në parullë shkruhej: ““Ky objekt i ndërtuar në hapësirën universitare është ndërtuar në kohën e regjimit pushtues shovinist të Millosheviqit”./Insajderi.com