Lëvizja Vetëvendosje ende nuk kanë dhënë një deklaratë publike lidhur me vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ku 47 kandidatë për deputetë kanë rezultuar si të dënuar brenda tri vjetve të fundit, ndër ta edhe bartësi i listës së kësaj partie politike.
Por, një vendim të tillë ende të papublikuar nuk kanë dashur ta komentojnë as pas tentimit nga Gazeta Online Insajderi.
Ish-deputeti i LVV-së në legjislaturën e fundit, Fitim Uka, ka thënë se nuk e ka parë ende vendimin dhe nuk mund të flasë për diçka që nuk e ka parë paraprakisht.
“Unë nuk e kam parë ende vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe nuk jam në gjendje për të komentuar diçka që nuk kam parë paraprakisht”, ka thënë Uka, duke e drejtuar redaksinë që të kontaktojë zyrën për marrëdhënie me publikun, por që nga kjo zyrë nuk është marrë asnjë përgjigje.
Pothuajse njësoj është deklaruar edhe kandidati tjetër për deputet nga kjo parti, Eman Rrahmani, i cili shkurtazi tha se “nuk e kam parë ende dhe nuk mund të deklaroj asgjë”.
Sipas raportimeve në media, Kurtit nuk do të jetë pjesë e listës zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje pasi kandidatura e tij nuk është certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Gjykata Kushtetuese, kishte marrë vendim se personat e dënuar në tri vitet e fundit nuk e kanë të drejtën të jenë pjesë garuese e zgjedhjeve.
Albin Kurti ishte shpallur i fajshëm për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, gjatë kohës sa kundërshtonte Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe Demarkacionin me Malin e Zi.
Elezi në një konferencë për media, theksoi se se 15 nga 28 subjekte kanë kandidatë që kanë probleme me ligjin.
“Nga përgjigjja që kemi marrë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, rezulton se 15 nga 28 subjektet politike që kanë aplikuar për certifikim kanë kandidatë të cilët nuk janë në përputhje me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, germën “Q”, e cila specifikon se kandidat për deputetë nuk mund të jetë një person i cili është shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vitet e fundit. Në përgjithësi, janë 47 kandidatë nga rreth 1 080, të cilët janë shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vitet e fundit”, konfirmoi zëdhënësi i KQZ-së.
Se Kurti nuk do të mund të kandidojë për deputetë në zgjedhjet që pritet të mbahen më 14-shkurt, Insajderi ka paralajmëruar dy ditë më parë.
Këtë e kishte konfirmuar për redaksinë drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, i cili tha se dy kandidatë nga Lëvizja Vetëvendosje, dy të tjerë nga Nisma Socialdemokrate dhe një nga Lista Serbe, “janë subjekt i kufizimit të të drejtës për t’u zgjedhur”.
Bëhej fjalë për liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin, anëtaren e kësaj partie, Albulena Haxhiun, dy anëtarët e Nismës – Besnik Berisha dhe Endrit Shala, si dhe anëtarin e Listës Serbe – Milan Aritonoviq. /Insajderi.com