Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë përfituar mjete financiare nga kompensimet të cilat i kanë marrë në emër të udhëtimit dhe kjo ka nxitur një valë të reagimeve duke shtuar presionin tek ky subjekt politik i cili ka vendosur që të tërhiqet vullnetarisht nga këto kompensime.
Shefja e grupit të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka deklaruar se deputetët të cilët jetojnë në komunat e tjera marrin kompensim për udhëtimin të cilin e realizojnë në Prishtinë. Ajo ka thënë se vendimi daton nga viti 2011 dhe se 67 deputetët kanë të regjistruar vendbanimin jashtë Prishtinës kurse 36 prej tyre janë deputet nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Me anë të këtij vendimi, në mesin e tjerave, parashihet kompensimi për shpenzime të udhëtimit për pjesëmarrje në punimet e seancës plenare dhe në komisionet e caktuara me vlerat si vijon: deri në 30 km – 10 euro deri në 60 km – 20 euro dhe mbi 60 km – 30 euro.
“Me anë të këtij njoftimi duam të informojmë opinion publik, se deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, si shumicë parlamentare, vullnetarisht do të tërhiqen nga kompensimi i shpenzimeve të udhëtimit dhe njëkohësisht thërrasin edhe deputetët tjerë të aplikojnë të njëjtin standard” është shprehur ajo.
Ajo ka thënë se do të kërkojnë nga Kryesia e Kuvendit rishikimin e vendimit për kompensimin e deputetëve./Insajderi.com